Ndonëse deputetët dhe ministrat shqiptarë mund të përdorin gjuhën shqipe gjatë seancave plenare në Kuvendin e Maqedonisë, kjo e drejtë me ligjin për gjuhët i mohohet vetë nënkryetares së këtij institucioni zonjës Suzana Saliu gjatë udhëheqjes së seancave.

Ajo, në një prononcim për media të martën, ka kërkuar që nevoja për zgjidhjen e këtij paradoksi të hyjë në axhendën e grupit të punës të formuar për zbatimin e rekomandimeve të raportit për ngjarjet e dhunshme në Kuvend.

“Në raportin për ngjarjet e 24 dhjetorit, në kapitullin e katërt shtrohet nevoja për përcaktimin e çështjes së udhëheqjes së seancave plenare në rregullore dhe unë mendoj se ky moment duhet te shfrytëzohet, aq më tepër që komisioni për implementimin e rekomandimeve të raportit do të punojë me konsensus dhe pa përjashtime. Mendoj se ka bazë kushtetuese dhe ligjore për përdorimin e gjuhës shqipe në udhëheqjen e seancave plenare, por nevojitet vetëm një pikë vullnet politik nga elita politike maqedonase”, deklaroi Saliu, nënkryetarja e Kuvendit.

Nënkryetarja e Kuvendit, që nga emërimi në këtë post para dy viteve, nuk ka pranuar të udhëheqë asnjë seancë plenare, pasi për të është e papranueshme që deputetëve shqiptar t’i drejtohet në gjuhën maqedonase.

Ky kufizim që i bëhet përdorimit të gjuhës shqipe në Kuvend ka qenë një nga arsyet kryesore të Partisë Demoraktike Shqiptare për të bojkotuar grupin e punës për ngjarjet e 24 dhjetorit, të cilin partia e Menduh Thaçit e ka quajtur farsë politike.

Sipas PDSH-së, problemi real i Maqedonisë është mosrespektimi i të drejtave të shqiptarëve dhe jo raportet mes vetë partive maqedonase.

Top Channel