Pas kërkesës së kryeministrit Berisha për hartimin e një akti normativ për publikimin e emrave të subjekteve që mashtrojnë me cilësinë dhe sasinë e karburantit, Ministria e Ekonomisë deklaron se një akt i tillë është i panevojshëm dhe se ekzistojnë të gjitha hapësirat ligjore që këto subjekte të bëhen publike.

“Projkt-akti është përgatitur nga Drejtoria e Përgjithshme e Metrologjisë e pas konsultimeve juridike, METE mendon se kuadri ligjor në fuqi, ligji për metrologjinë dhe inspektimin ka hapësirat e nevojshme, madje mban detyrimin ligjor që rezultatet të bëhen publike në të mirë të interesave të konsumatorit”, deklaroi zëvendësministri i Ekonomisë, Enno Bozdo.

Numri dy i kësaj ministrie, gjithashtu shtoi se në nenin pesë të ligjit për metrologjinë parashikohet publikimi i rezultateve të kontrollit kur nuk cënohen të dhëna që konsiderohen konfidenciale.

“Neni pesë i ligjit të metrologjise shpreh detyrimin e DPM-së për publikimin e rezultatit, aty ku nuk cënohen të dhëna që konsiderohen konfidenciale dhe këto rezultate nuk cënojnë as të dhënat personale për subjektet, as ndonjë çështje që ka lidhje me sekretin tregtar”, shtoi Bozdo.

Pak ditë më parë, Drejtoria e Metrologjisë deklaroi se ka gjobitur me një vlerë totale prej 10.5 milionë lekësh, 14 subjekte pasi është konstatuar se kanë mashtruar me sasinë e karburantit që u shesin konsumatorëve.

Në vazhdimësi kjo drejtori nuk ka publikuar emrat e subjekteve mashtruese me justifikimin se informimi duhet të bëhet brenda kufijve të ligjit për mbrojtjen e të dhënave për veprimtarinë tregtare të subjektit.

Por, pas këtij reagimi nga ana e Ministrisë së Ekonomisë i takon përfaqësuesve të metrologjisë të tregohen transparentë me konsumatorët duke publikuar emrat e subjekteve që mashtrojnë konsumatorët.

Top Channel