Kryetari i trupit gjykues në rastin “Kleçka”, ku akuzohen për krime
lufte Fatmir Limaj dhe nëntë ish-bashkëluftëtarë të tij, do ta japë
vendimin përfundimtar më 17 shtator.

Lajmin e bën të ditur agjencia “Kosovapress”, që citon avokatin e Limajt, Tomë Gashi, sipas të cilit gjyqtari Malcolm Simons e ka njoftuar palën e mbrojtjes dhe atë të akuzës në seancën e së martës.

“Nesër prokurori Salustro paraqet fjalën përfundimtare, pas tij këtë do ta bëjë mbrojtja e Limajt dhe pastaj më 10 dhe 11shtator pasojnë fjalët përfundimtare të avokatëve të tjerë dhe përfundimisht do të kemi verdiktin definitiv me 17 shtator 2013”, ka deklaruar Gashi.

Ai është shprehur i bindur se do të arrihet tek lirimi i Limajt dhe ish-bashkëpunëtorëve të tij, pasi gjatë gjithë procesit nuk është vërtetuar e kundërta.

“Ne kemi pasur një rigjykim, epilogu i të cilit në bazë të ligjit dhe drejtësisë është ditur që nga dita e parë”, ka thënë më tej Gashi.

Në seancën e një dite më parë u mbyll proçedimi i provave të reja në procesin “Kleçka”, duke i konsideruar të lexuara raportet e ekspertëve ndërkombëtarë rreth gjendjes psikike të dëshmitarit Agim Zogaj, i njohur si dëshmitari “X”.

Top Channel