Haradinaj mbështet heqjen e stemës

03/09/2013 00:00

Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës përkrah vendimin e KQZ-së për heqjen e
logos nga fletëvotimet dhe shkon e përgatitur në zgjedhje. Kështu
deklaroi lideri i AAK-së, Ramush Haradinaj, gjatë një takimi me kryetari
e LDD-së, Nexhat Daci.

“Materiali zgjedhor, çertifikimi i subjekteve politike mbetet materiali i njëjtë. Çdo subjekt politik në Kosovë që konkurron regjistrohet në material me logo të Republikës së Kosovës dhe KQZ-së. Ndërsa për fletëvotim, me sa di, KQZ-ja ka vendosur që të jetë logoja e saj, ku është harta e Kosovës, ashtu siç e kanë dhe institucionet e tjera si policia dhe ushtria. Ne e përkrahim këtë vendim të KQZ-së dhe shkojmë të përgatitur në zgjedhje”, theksoi Haradinaj.

Ndërsa kryetari i LDD-së, Daci theksoi se gjithmonë kur bisedohet në nivel botëror mes palëve të pakënaqura, zgjidhja nuk është ajo që i kënaq plotësisht të dyja palët.

“Ne i kemi përkrahur bisedimet dhe marrëveshjen në Bruksel. Është një marrëveshje ndërkombëtare. Të gjitha subjektet politike në parim e kanë dhënë pëlqimin dhe e kanë përkrahur”, tha Daci.

Sipas tij, vendimi i Komisionit Qendror të Zgjedhjeve është i drejtë dhe i mbështetur në ligje e Kushtetutë. “Është hera e parë që veriu do të marrë pjesë në zgjedhje dhe do të ndihet pjesë e Kosovës. Sepse po të ndodhte e kundërta, zgjedhjet nuk do të kishin kuptim”, shtoi Daci.

Top Channel