Fitimet e shtëpive të mëdha prodhuese të filmave në Shtetet e Bashkuara të Amerikës regjistruan një rekord historik prej 4,7 miliardë dollarësh.
Gjatë muajve të verës, fitimet ishin 10,2% më të mëdha se një vit më parë në të njëjtën periudhë.
Filmat si “Iron Man 3”, “Man of Steel”, “Despicable Me 2” ishin kontribuesit kryesor në rritjen e fitimeve të përgjithshme të Hollivudit, që theu rekordin pavarësisht zhgënjimit në arkëtime të disa prodhimeve të tjera të kushtueshme si “The Lone Ranger”, “After Earth” apo “The Wolverine”.
Një numër i pazakontë filmash të publikuar gjatë kësaj stine ndihmoi gjithashtu në rritjen e shikueshmërisë në kinematë amerikane me 6,6%, me një total prej 573 milionë biletash të shitura.
“Iron Man 3” ishte suksesi më i madh i verës, duke realizuar 408,6 milionë dollarë fitime, nga xhiroja totale e të ardhurave në mbi 1,2 miliardë dollarë.
“The Lone Ranger”, i cili i kushtoi producentëve të tij 215 milionë dollarë ishte zhgënjimi më i madh i kësaj stine, ndërsa arriti të fitonte vetëm 88,4 milionë dollarë ose vetëm 1/3 e shpenzimeve të tij.
Top Channel