Egjipt, mbyllen 4 kanale televizive

03/09/2013 00:00

Një gjykatë egjiptiane ka urdhëruar mbylljen e katër kanaleve televizive
që janë akuzuar se kanë mbështetur Vllazërinë Myslimane.

Mes tyre janë kanali i vetë Vllazërisë, “Ahrar 25”, dhe dega egjiptiane e “Al Jazeera”, bën të ditur BBC në edicionin e saj online.

Në muajin korrik dhe më vonë, kanale të ndryshme mediatike u detyruan të transmetonin ndërhyrjen ushtarake për rrëzimin e presidentit Morsi.

Tani, një gjykatë administrative në Kajro ka urdhëruar degën e “Al Jazeera” që të ndërpresë transmetimin, bashkë me “Ahrar 25” dhe dy kanale të tjera islamike, “Al Quds” dhe “Al Yarmuk”.

Mbyllja e stacioneve televizive vjen pas një ofensive ndaj mediave që në dukje simpatizonin ish-presidentin Mohammed Morsi, që u rrëzua nga grushti ushtarak i shtetit më 3 korrik.

Ditën e hënë, autoritetet egjiptiane përjashtuan tre gazetarë të huaj që punonin për kanalin në gjuhën angleze të “Al Jazeera”, me argumentin se nuk kishin dokumentat e duhura si përfaqësues të shtypit.

Ndërkohë, gjatë së martës ushtria egjiptiane ka kryer një seri sulmesh me helikopterë ndaj objektivave të dyshuar si militantë në gadishullin e Sinait, duke vrarë një numër të pacaktuar personash. Ushtria po përpiqet të vendosë kontrollin në zonën në kufi me Gazën.

Ndërkohë, Morsi ndodhet në arrest në pritje të gjykimit. Prokurorët njoftuan këtë javë se ai do të gjykohet për akuza që kanë të bëjnë me nxitjen e vrasjeve të protestuesve vitin e kaluar.

Top Channel