Ish-komandanti i Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, ish-kryeministri i saj nga 2006 deri në 2008-ën dhe aktualisht Ministri i Forcave të Sigurisë së Kosovës, Agim Çeku është kandidati i përzgjedhur nga Partia Demokratike në garën për kryetar të Komunës së Prishtinës.

Prezantimi i kandidaturës së Agim Çekut është bërë nga vetë kryeministri, njëkohësisht edhe kryetari i PDK-së, Hashim Thaçi gjatë një konferencë për mediat pasditen e së martës.

“Pas një konsultimi të gjerë me kategori të shoqërisë, me simpatizantë të degës së PDK-së në Prishtinë, për një Prishtinë të re, për një Prishtinë të zhvilluar, kemi vendosur që për kandidat për kryetar të emërojmë ish-kryeministrin, tani ministrin Agim Çeku”, deklaroi Thaçi.

Vetë Çeku, që mban gradën gjeneral, tha se nuk i trembej garës së Prishtinës, që në zgjedhjet e të kaluarës, ka qenë një “mollë e ndaluar” për PDK-në.

“Falenderoj degën e PDK-së për Prishtinën që me kanë besuar dhe unë do të bëj gjithçka të jetë e mundur që të përmirësojë jetën e qytetarëve të Prishtinës. Unë do të punoj për një Prishtinë europiane që qytetarët e saj të jetojnë si europianë. Unë krenohem me Prishtinën. E dua një Prishtinë europiane dhe për këtë e kam pranuar kandidimin. Kështu që ne mendojmë që ta bëjmë një Prishtinë europiane dhe të kemi një kryeqytet europian”, tha ai.

Në garën për kryetar të Prishtinës, Çeku do të ketë përballë me shumë gjasa Isa Mustafën nga LDK dhe të përzgjedhurin e Lëvizjes Vetëvendosje, Shpend Ahmeti.

Agim Çeku ka qenë njëri ndër udhëheqësit më të zëshëm të luftës çlirimtare dhe nga viti 2006 deri më 2008 mbajti postin e kryeministrit. Më pas themeloi Partinë Socialdemokrate të Kosovës me të cilën u bë pjesë e qeverisë “Thaçi 2”. Në janar të këtij viti, dha dorëheqjen nga ky subjekt politik duke iu bashkuar PDK-së.

Top Channel