Presidentja e Kosovës, Atifete Jahjaga përmes një deklarate ka inkurajuar Komisionin Qendror të Zgjedhjeve, që në përputhje me mandatin e tij të gjejë një zgjidhje ligjore që respekton kushtetutshmërinë dhe ligjshmërinë e Republikës së Kosovës dhe siguron pjesëmarrje gjithëpërfshirëse në zgjedhjet komunale të 3 nëntorit.

“Këto zgjedhje kanë një rëndësi të veçantë sepse organizohen në tërë territorin e Republikës së Kosovës njëkohësisht. Pjesëmarrja e të gjithë qytetarëve, përfshirë edhe komunitetin serb në komunat veriore të vendit, në zgjedhjet e 3 nëntorit ka rëndësi të veçantë për të ardhmen e tyre dhe proceset demokratike të Kosovës”, thuhet në deklaratën e cituar nga “RTK”.

Presidentja Jahjaga thekson se këto zgjedhje duhet të jenë demokratike, të lira, të drejta dhe gjithëpërfshirëse, ndaj inkurajon KQZ-në që të gjejë zgjidhje të cilat të jenë të përshtatshme për të gjithë qytetarët dhe që të sigurojnë pjesëmarrjen masive në zgjedhje.

Edhe Partia Demokratike e Kosovës ka shprehur bindjen se besueshmëria e këtyre zgjedhjeve “historike” varet nga pjesëmarrja e të gjitha subjekteve politike dhe komuniteteve kudo në Kosovë.

Përmes një komunikate të lëshuar për mediat, PDK inkurajon anëtarët e KQZ-së që të ndërmarrin aktivitete zgjedhore, të cilat të jenë në përputhje me standartet ndërkombëtare, me qëllim arritjen e një rezultati demokratik dhe gjithëpërfshirës.

“Të gjithë qytetarët e Kosovës kanë të drejtë të votojnë në një proces të drejtë dhe hartimi i këtyre dokumenteve hap rrugën për zgjedhje gjithëpërfshirëse, që plotësojnë nevojat e të gjitha komuniteteve dhe janë në përputhje me ligjet e Kosovës”, thuhet në komunikatë.

Top Channel