" /> ">

Siria, Papa: Kurrë më luftë!

02/09/2013 16:00

“Kurrë më luftë! Kurrë më luftë”. Është ky apeli që Papa Françesku lëshoi këtë të hënë nëpërmjet profilit të Selisë së Shenjtë në “Twitter”.

Duke iu referuar konfliktit që po ndodh në Siri, Ati i Shenjtë i Vatikanit rreshtohet me vendosmëri kundër planeve të Obamës dhe aleatëve të tij perëndimorë për një ndërhyrje në vendin e copëtuar nga lufta civile e nisur në mars 2011.

“Rrugëzgjidhja për problemet e Sirisë nuk mund të jetë një ndërhyrje e armatosur. Dhuna nuk do të pakësohet kështu, madje ekziston mundësia që ajo të përshkallëzohet dhe të përhapet në vendet e tjera. Konflikti në Siri ka të gjithë përbërësit e nevojshëm për të përhapur një luftë në shkallë botërore”, argumentoi një zëdhënës i Papës në “Radio Vatikanin”

Sipas zëdhënësit,  “shoqëritë e qytetëruara dhe organizatat e tyre kërkojnë nga përfaqësuesit e tyre që të lënë përgjithmonë mënjanë idenë e një ndërhyrje të armatosur, për të punuar, me bindje, vendosmëri dhe në mënyrë të palodhur, për t’iu rikthyer paqes”.


Komenti i Papa Françeskut ne “Twitter”

“Nuk është asnjëherë përdorimi i luftës ai që mund të sjellë paqen”, vazhdoi më tej përfaqësuesi i Selisë së Shenjtë. “Lufta sjell luftë, edhe sepse vendos në kurth popujt, duke i zhytur në një spirale vdekjeprurëse. Në një luftë, tjetri është gjithmonë antagonisti, armiku që duhet shkatërruar dhe nuk do të jetë kurrë një vëlla. Lufta nuk përfundon kurrë”.

Përpara këtij qëndrimi mbi konfliktin në Siri, në një meshë në fundjavë, Papa Françesku pati deklaruar: “Zemra ime është veçanërisht e lënduar nga ajo që po ndodh në Siri dhe nga zhvillimet dramatike që po shfaqen në horizontin e këtij vendi. Komuniteti ndërkombëtar duhet të promovojë dialogun dhe bashkëbisedimin. Lutem që të mos ketë kurrë më luftë”.

76-vjeçari, i cili zëvendësoi në krye të Vatikanit Papa Benediktin XVI më parë gjatë vitit, është një pacifist i njohur, ndërsa në vitin 1982, kur mbante detyrën e kardinalit Bergoglio, u shndërrua në një prej kundërshtarëve më të vendosur të konfliktit argjentino-britanik për ishujt Falklands (Malvinas, në gjuhën spanjolle).

Top Channel