Problemet ekonomike të Venezuelës

02/09/2013 00:00

Ministri i Financave të Venezuelës ka pranuar se politikat ekonomike të presidentit të ndjerë Hugo Chavez dhe pasardhësit të tij nuk kanë dhënë ende rezultatet e pritura.

Nelson Merentes tha se qeveria ka përmirësuar standartin e jetesës së popullit venezuelian, por nuk ka zgjidhur problemet strukturore të ekonomisë.

Zoti Merentes tha për ‘Televen’: “Kjo qeveri ka fituar 18 zgjedhje dhe ka pasur suksese të mëdha shoqërore, por ende nuk mund të quhet e suksesshme në fushën ekonomike. Duhen reforma në disa ligje në mënyrë që të stimulohet rritja ekonomike.”

“Ne duhet të nisim një rrugë që do të ndihmojë një rritje të qëndrueshme ekonomike dhe përgjatë viteve të arrijmë aty ku duhet”, shtoi Merentes.

Hugo Chavez ndërroi jetë në mars pas 14 vitesh në pushtet dhe pasardhësi i tij, Nicolas Maduro, është betuar se do të vazhdojë politikat e tij në krye të vendit amerikano-latin.

Top Channel