Liga Arabe, e përçarë për Sirinë

02/09/2013 23:15

Liga Arabe vazhdon të mbetet e përçarë, kur vjen fjala te mënyra se si duhet trajtuar konflikti në Siri.

Edhe takimi i fundit në Kajro nuk arriti të sheshojë hendekun mes vendeve anëtare, deri në atë pikë sa të dilej me një qëndrim të përbashkët.

Ministrat nxorrën, sidoqoftë, një deklaratë, ku dënohej përdorimi i armëve kimike e theksohej gjithashtu se krimet nuk do të mbeten pa u ndëshkuar.

Por, sekretari i përgjithshëm i Ligës, Nabil al-Arabi, i mëshoi idesë se konflikti sirian mund të zgjidhet vetëm në rrugë diplomatike.

“Liga Arabe bën regjimin e Bashar al-Assad përgjegjës për sulmin e 21 gushtit. Por, ndërhyrja ushtarake është jashtë çdo diskutimi. Vetëm Kombet e Bashkuara, si përfaqësues të ligjshëm të komunitetit ndërkombëtar, duhet të ndërmarrin veprime për frenimin e atyre që kryen krime të tilla”, tha Nabil al-Arabi, sekretar i përgjithshëm i Ligës Arabe.

Fajtorët, sipas Ligës, duhet të përgjigjen para një gjykate ndërkombëtare. Në ndryshim nga sa mendon sekretari i përgjithshëm, ministri i Jashtëm saudit, Princi al-Faisal, këmbënguli në faktin që, me sulmin e javës së kaluar, qeveria e Assad-it kaloi të gjitha vijat e kuqe dhe për këtë arsye duhet të ndalet.

Por, as ai nuk e përmendi qartë mundësinë e ndërhyrjes nga jashtë. Me deklaratën e tyre, ministrat nuk plotësuan kërkesën e kryetarit të Aleancës së opozitës siriane, Ahmed al-Dscharba, që të mbështeten planet amerikane për një ndërhyrje ushtarake.

Al-Dscharba e quajti një gabim, refuzimin e këtyre planeve, me pretendimin se në këtë mënyrë shkelet sovraniteti i Sirisë, duke argumentuar se edhe Assad-i vetë ia ka hapur me kohë derën ndërhyrjeve nga jashtë, kur ka pranuar ndihma nga Irani, militantë të Hezbollahut dhe paraushtarakë ekstremistë nga Iraku.

Top Channel