Lavrov: SHBA të na tregojë provat

02/09/2013 00:00

Ministri i Jashtëm rus, Sergei Lavrov tha se “regjimi i sekreteve” nga Perëndimi është i papranueshëm, kur flitet për faktet e përdorimit të armëve kimike nga ushtria siriane.

Ai u tha studentëve të Marrëdhënieve Ndërkombëtare në Universitetin Shtetëror të Moskës, sic raporton “Russia Today”, se faktet duhet të bëhen të njohura.

“Nëse në të vërtetë ka informacione sekrete atëherë duhet të ngrihet perdja. Kjo është një çështje lufte ose paqeje. Vazhdimi i lojës së sekreteve nuk është gjëja e duhur”.

Lavrov tha se informacioni që i është kaluar Rusisë nga SHBA nuk është bindës. “Çfarë na kanë treguar dhe po na tregojnë tani partnerët amerikanë, britanikë dhe francezë nuk na bindin”.

Ndërsa gjatë takimit në Moskë me Ministrin e Jashtëm të Afrikës së Jugut Lavrov tha:

“Nëse veprimet e shpallura nga Presidenti amerikan, në zhgënjimin tonë më të madh, kryhen, atëherë mendoj se pavarësisht të gjitha fjalëve për ‘Gjenevën 2’, do të shtyhet çdo prespektivë për një forum të tillë për një kohë të gjatë, për të mos thënë, përgjithmonë”, tha ai.

Ligjvënësit francezë njihen me provat e sulmit

Kryeministri francez, Jean-Marc Ayrault, një mbështetës i ndërhyrjes ushtarake në Siri, do të njohë krerët e grupeve të parlamentit vendas me provat që tregojnë përdorimin e armëve kimike nga regjimi i presidentit Bashar al-Assad.

Në dosjen voluminoze thuhet se Siria ka rreth 1 mijë ton armë kimike, përfshirë këtu agjentin tejet të rrezikshëm dhe vdekjeprurës, gazin Sarin.

Presidenti francez, Francois Hollande, ashtu si homologu i tij amerikan, Barack Obama kërkon ndëshkimin ushtarak ndaj Sirisë për atë që e quan shkelje të ligjeve ndërkombëtare duke përdorur armët kimike ndaj popullsisë civile.

Megjithëse presidenti Hollande ka autoritetin për të dhënë urdhërin e ndërhyrjes ushtarake përkrah Shteteve të Bashkuara, në vend ka një rritje të madhe të presionit publik dhe kundërshtarëve të ndërhyrjes për ta hedhur me votë në Asamble.

Kërkesa shtrohet për të qenë në të njëjtën linjë me Shtetet e Bashkuara dhe Britaninë e Madhe. Të premten Obama tha se megjithëse nuk kishte nevojë, do të kërkonte autorizimin e Kongresit për të ndërhyrë, ndërsa disa ditë më parë, Dhoma e Përfaqësuesve në parlamentin britanik rrëzoi mocionin e kryeministrit Cameron për ndërhyrjen ushtarake.

Sulmi kimik mendohet se ka ndodhur më 21 gusht në veri-lindje të Damaskut. Të paktën 1400 persona dyshohet se kanë gjetur vdekjen nga ky sulm, mes të cilëve 426 fëmijë.

Edhe Sekretari i Përgjithshëm i NATO-s, Anders Fogh Rasmusen shprehet i bindur se një sulm kimik në Siri ka ndodhur dhe për këtë ai fajësoi regjimin e presidentit Bashar al Assad.

Top Channel