Komisioni Qendror i Zgjedhjeve në Kosovë votoi për heqjen e stemës së Republikës së Kosovës nga fleta e votimit për zgjedhjet e 3 nëntorit.

Propozimin e solli anëtari serb i KQZ-së, Goran Zdravkoviç, i cili po kështu propozoi edhe ndryshimin e përmbajtjes së dokumenteve të tjera, si libri i nënshkrimeve, listën e kandidatëve të subjekteve politike, formën e konfirmimit të kandidatëve, etj.

Votimi i këtyre dokumenteve nxiti reagimin e ashpër të dy anëtarëve të Komisionit Qendror të Zgjedhjeve, Adnan Rrustemi nga Vetëvendosje dhe Fadil Maloku nga Aleanca Kosova e Re, të cilët u shprehën kundër propozimit duke thënë se ky është një vendim i kryeministrit të Serbisë, Ivica Daçiç.

Anëtarët e KQZ-së nga radhët e LDK-së kanë abstenuar, ndërsa nga PDK-ja i kanë përkrahur. Ajo që befasoi ishte kryetarja e KQZ-së Valdete Daka, e cila në të gjitha votimet ka abstenuar. Për këtë ajo u kritikua nga anëtari i PDK-së, i cili e quajti votën abstenim si të papërgjegjshme.

Pas përfundimit të mbledhjes, në një bisede për Top Channel, kryetarja e KQZ-së ka thënë se ka abstenuar sepse nuk është pjesë e marrëveshjes politike në Bruksel, duke lënë të kuptohet se vendimi për heqjen e stemës, sikurse të tjerat janë vendime politike.

Ajo ka shtuar se, si kryetare e KQZ-së është pjesë e gjyqësorit dhe nuk i takon të përzihet në marrëveshje që i bëjnë partitë politike.

Ambasada amerikane në Kosovë përshëndet vendimin

Vendimi i KQZ-së në Kosovë për zgjedhjet lokale të 3 nëntorit, i cili heq logon e Republikës së Kosovës nga fletët e votimit për komunitetin serb të veriut të Mitrovicës është përshëndetur edhe nga Ambasada amerikane në Kosovë.

Sipas ambasadës, “Zgjedhjet janë një mundësi historike për të unifikuar komunitetet që jetojnë në Kosovë”.

Çështja e heqjes së logos në fletët e votimit ka qenë tepër e debatuar së fundi në Kosovë, teksa Serbia dhe kryeministri Dacic kishin kërcënuar se do të bënin thirrje për bojkot të zgjedhjeve të nëntorit nga serbët e Mitrovicës.

Top Channel