Trupi gjykues i çështjes “Kleçka”, ku akuzohen Fatmir Limaj dhe 9 ish-bashkëluftëtarët e tij të UÇK-së për krime lufte që supozohet të kenë ndodhur në fshatin Kleçkë, ka vendosur që të mërkurën t’u mundësohet fjala përfundimtare prokurorit Maurizzio Salustro dhe mbrojtjes së të akuzuarve.

Fjala përfundimtare e prokurorit Salustro u shty për të mërkurën me kërkesë të tij, ndërkohë që të njëjtën ditë pritet që edhe mbrojtja të paraqesë fjalën e saj.

“Me kërkesën e prokurorit Salustro është shtyrë dhënia e fjalës përfundimtare për ditën e mërkurë, edhe pse kjo ishte parashikuar për ditën e nesërme. Por ai ka kërkuar një kohë shtesë sepse është duke e kuptuar se është duke e humbur rastin. Ne besojmë se ditën e mërkurë do të përfundojë i gjithë ky shqyrtim kryesor me dhënien e fjalës përfundimtare të prokurorit dhe të mbrojtjes dhe vetëm janë lënë dy ditë shtesë nëse ka dikush prej avokatëve diçka, që është data 10 dhe 11 shtator”, ka deklaruar Tomë Gashi, avokat i Fatmir Limaj.

Po ashtu, gjatë seancës së të hënës, gjykatësi i çështjes Malkolm Simons ka deklaruar të mbyllur proçedurën e provave. Sipas avokatit Gashi, provat e fundit që trupi gjykues i ka marrë dhe do t’i analizojë ato është raporti i eksprtëve britanikë, sipas të cilëve Agim Zogaj, i njohur si “Dëshmitari X”, ka mundur të shtiret si i sëmurë me probleme psiqike në dy rastet kur në Prizren dhe Prishtinë ka kërkuar trajtim mjekësor tek psikiatri dhe është hospitalizuar. Kurse, në raportet e psikiatërve vendorë thuhet se ai është trajtuar si çdo pacient tjetër me probleme.

“Në bazë të provave të vendorëve dhe ekspertëve të huaj, saktësisht ekspertëve britanikë që janë angazhuar nga kryetari i truipit gjykues, dëshmohet fakti se “Dëshmitari X”, apo Agim Zogaj, ka dhënë deklarata të rreme dhe të pabesueshme. Qoftë simulimi, apo siç është përkthyer shtirja e tij, për shkak të sëmundjes së tij, ne besojmë që ato dëshmi të jenë të mjaftueshme që trupi gjykues të kuptojë se dëshmitari Agim Zogaj ka folur sende të trilluara dhe që nuk kanë qenë të vërteta. Por, prapë së prapë kjo mbetet që trupi gjykues në aktgjykimin e tij ta elaborojë”, ka thënë Gashi.

Në fund të vitit 2012 Gjykata Supreme pati kthyer në rigjykim të plotë çështjen “Kleçka”, pasi në mes të po atij viti, trupi gjykues i drejtuar nga misioni i Bashkimit Europian, EULEX-i, pati shpallur të pafajshëm ish pjestarët e UÇK-së.

Top Channel