Franca: Presim Serbinë në BE

02/09/2013 00:00

Franca do që Serbia të jetë shteti i ardhshëm që të anëtarësohet në Bashkimin Evropian, ka deklaruar ministri francez për Çështjet Evropiane, Thierry Repentin.

“Si ministër i ngarkuar me çështjet evropiane dua të theksoj se dëshirë e Francës është që Serbia të bëhet shteti i 29-të i BE-së”, ka dekarluar Repentin.

Ai i ka bërë këto komente në Beograd, pas takimit me kryeministrin e Serbisë, Ivica Daçiç, ndërkohë që të martën do të vizitojë Podgoricën dhe Prishtinën.

“Ne duam të shohim që Serbia të jetë gati të bashkohet me BE-në, të ballafaqohet me sfidat e tregut unik dhe që në fund të jetë e gatshme të bëhet një anëtare e plotë e BE-së”, ka thënë Repentin.

Ndër të tjera ai ka përshëndetur marrëveshjen e 19 prill midis Beogradit dhe Prishtinës, duke e cilësuar një “kontribut historik për stabilitetin rajonal” dhe duke theksuar se fryma e kompromisit mbizotëroi tek të dyja palët.

“Kjo marrëveshje është një model për zgjidhjen e krizës në Ballkan dhe gjetkë. Dëshiroj të përshëndes kurajon e treguar nga autoritetet serbe. Marrëveshja ka filluar të zbatohet në mënyrë vendimtare dhe çdo mbledhje e re në Bruksel sjell  përmirësime”, ka pohuar Repentin.

Më tej ai e ka vënë theksin tek rëndësia e pjesëmarrjes së serbëve në zgjedhjet e 3 nëntorit në Kosovë, duke vënë në dukje se: “në të dyja anët  pragmatizmi duhet të mbizotërojë mbi çështjet simbolike”.

Top Channel