Franca për sulmin në Siri

02/09/2013 23:00

Sulmi i dyshuar kimik pranë Damaskut nuk mund të jetë urdhëruar e ndërmarrë nga askush tjetër përveç qeverisë siriane.

Raporti i paraqitur parlamentarëve francezë nga kryeministri Jean-Marc Ayrault del në përfundimin se episodi i rëndë është pasojë e përdorimit masiv të agjentëve kimikë dhe se këtij sulmi i atribuohen të paktën 281 vdekje.

Dokumenti 9-faqësh është hartuar nga shërbimi ushtarak i zbulimit dhe ai i inteligjencës kombëtare. Në të thuhet se, pas verifikimit të të gjitha informacioneve në dispozicion është arritur në përfundimin se, në 21 gusht të këtij viti, regjimi sirian ndërmori një sulm mbi lagjet e Damaskut, të kontrolluara nga forcat e opozitës, ku u ndërthurën mjete konvencionale dhe përdorimi në masë i substancave kimike.

Deputetët francezë do të diskutojnë për këtë çështje në një seancë të jashtëzakonshme, që do të mbahet të mërkurën. Presionet për të votuar janë të mëdha, ashtu siç ndodhi edhe në Britani e siç i është premtuar Shteteve të Bashkuara. Por, kryeministri Ayrault e përjashton një gjë të tillë.

Presidenti sirian Bashar al-Assad, ndërkohë, e ka mohuar përsëri përgjegjësinë e sulmit, e këtë radhë zgjodhi gazetën franceze “Le Figaro” për të treguar se një veprim i tillë do të ishte krejtësisht i “palogjikshëm” nga ana e tij.

Sa për ndërhyrjen ushtarake, ajo, në këndvështrimin e Assad, do të nxiste një konflikt edhe më të gjerë rajonal. “Kur shpërthen fuçia e barutit, të gjithe e humbin toruan; situata del jashtë kontrollit dhe kaosi e ekstremizmi gjen terren të përhapet”, është shprehur ai.

Presidenti sirian lëshoi një paralajmërim edhe për Francën, kur tha se përfshirja e saj në Siri do të ketë pasoja. Në Amerikë, sakaq, ku Barak Obama pret fjalën e Kongresit për ndërhyrjen ushtarake, disa ligjvënës shprehen ngurrues për planet e një operacioni të kufizuar ushtarak, qëllimin dhe efektivitetin e të cilit e vënë në dyshim.

Senatori republikan John McCain, shpeshherë kritik i mënyrës se si e ka trajtuar administrata e Obamës çështjen e Sirisë, e bëri publikisht të qartë që, përpara se të votojë sulmin ushtarak, kërkon të shohë një plan të detajuar se si do të çlirohet populli sirian nga regjimi i Bashar al-Assad-it.

Top Channel