Siri, u përdor gazi sarin

01/09/2013 19:00

Sekretari amerikan i Shtetit, John Kerry, tha se Shtetet e Bashkuara kanë fakte, se është përdorur gazi sarin në sulmin vdekjeprurës në afërsi të Damaskut, muajin e kaluar. Ai përmendi kampionët e mbledhur nga flokët dhe gjaku, pas sulmit të 21 gushtit.

“Më lejoni të shtoj një zhvillim të fundit shumë të rëndësishëm, që ne kemi mësuar në 24 orët e fundit përmes kampionëve, që u janë dhënë Shteteve të Bashkuara, që tani janë testuar në lindje të Damaskut. Kampionët e flokëve dhe të gjakut rezultuan pozitiv për gaz sarin. Kësisoj, çështja po rritet dhe nuk besoj se ish-kolegët e mi në Senat dhe Dhomën e Përfaqësuesve do t’u kthejnë kurrizin interesave tona, besueshmërisë së vendit, lidhur me normën për ndalimin e përdorimit të armëve kimike, që ka nisur prej vitit 1925”, tha Kerry.

Sulmi i 21 gushtit, ku humbën jetën 1429 persona sipas Washington-it, është vepër e qeverisë siriane, e cila ka aftësinë për të ndërmarrë të tilla sulme. Sipas Kerry-t, faktet janë grumbulluar nga burimet e tyre dhe jo nga inspektorët e OKB-së. Edhe më herët, Shtetet e Bashkuara kanë thënë se posedojnë fakte të përdorimit të gazit sarin në sulme të tjera.

Presidenti sirian, Bashar al-Assad, deklaroi të dielën: “Siria është në gjendje të përballojë çdo agresion të jashtëm, po njësoj siç përballet me agresionin e brendshëm çdo ditë, në formën e grupeve terroriste dhe atyre që i përkrahin”.

Zv/ministri i Jashtëm sirian, Faizal Mekdad, i tha BBC-së se, vendimi i Obamës për të shtyrë goditjen ushtarake në pritje të votës në Kongres “nuk është veçse një manovër politike dhe mediatike”.

Korrespondenti i BBC-së në Damask, Xheremi Bouen, tha se banorët e kryeqytetit duken të çliruar, sepse i frikësoheshin një sulmi në fundjavë.

Zëdhënësi i koalicionit kombëtar sirian, Louaj Safi, i tha CNN se, vendimi i shefit të Shtëpisë së Bardhë për të shtyrë ndërhyrjen e mundshme ushtarake mund të inkurajojë presidentin Assad.

Të shtunën në mbrëmje, pas fjalimit të tij në Kopshtin e Trëndafilave në Shtëpinë e Bardhë, një mesazh jo vetëm për publikun amerikan por për të gjithë botën, presidenti amerikan Barak Obama i dërgoi një projekt/dokument udhëheqësve të Kongresit, kreut të Dhomës së Përfaqësuesve dhe atij të Senatit.

Projekt/dokumenti thotë se përgjigjia ushtarake ka si qëllim të frenojë, parandalojë dhe të pakësojë aftësinë e qeverisë siriane për të përdorur armë kimike.

Një prej zyrtarëve të Shtëpisë së Bardhë i tha BBC-së se vendimi i Obamës për të kërkuar debatin në Kongres ishte marrë mëngjesin e së premtes dhe nuk ishte planifikuar deri atëherë.

Kreu i shumicës në Senat, demokrati Herri Rid, tha se votimi për propozimin mund të bëhet më vonë se 9 shtatori. Kthesa e presidentit amerikan në Kongres është parë nga vëzhguesit si një reagim i drejtpërdrejtë për disfatën në parlamentin britanik.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA