Japoni, rritje alarmuese e rrezatimeve në Fukushima

01/09/2013 13:20

Situata në centralin bërthamor të Fukushimës është duke u përkeqësuar vazhdimisht, ndërsa të dhënat zyrtare treguan një rritje shqetësuese të nivelit të rrezatimit përreth impiantit të dëmtuar.

Centrali bërthamor pësoi dëmtime të rënda nga një tërmet i shoqëruar nga një tsunami i fuqishëm në mars 2011.

Ndonëse kriza fillestare u vendos nën kontroll, lënda radioaktive vazhdon të mbetet brenda reaktorëve dhe kompania që po merret me pastrimin e saj, ka pranuar se një sasi “tepër e vogël” uji radioaktive ka rrjedhur në ambient, duke shkaktuar këtë rritje të nivelit të rrezatimeve.

“Jemi duke hetuar arsyen e kësaj rrjedhje, ndërsa po marrim masat e përshtatshme për të kufizuar çdo dëmtim, e përmirësuar sigurinë e punonjësve tanë”, shkruhej në një deklaratë të kompanisë “TEPCO” këtë të dielë.

Megjithatë, mediat japoneze dyshojnë se uji radioaktiv është grumbulluar në sasi të tilla, sa që ka filluar të tejkalojë shtresat mbrojtëse nëntokësore rreth impiantit dhe të përfundojë në det.

Duke rritur në tre nga shtatë maksimumi nivelin e rrezikut më parë gjatë javës, Japonia klasifikon tashmë zyrtarisht situatën si një “aksident serioz”, nga një “aksident” që parashikon niveli i dytë.

Ekziston frika që në ditët në vazhdim, niveli i rrezikut të rritet edhe me një apo dy shkallë, që do të thotë përkatësisht “incident me dëme në perimetrin përreth impiantit” ose “incident me shtrirje të gjerë”.

Përshkallëzimi i krizës në Fukushima është shndërruar në një problem veçanërisht serioz për vetë Tokion dhe komunitetin ndërkombëtar, pasi një rrjedhje radioaktive në det do të dëmtonte jo vetëm ekosistemin, por mund të sillte pasoja të rënda për jetesën në të gjithë rajonin e Azisë Juglindore.

Deri në fund të korrikut, situata në Fukushima reportohej zyrtarisht si tërësisht nën kontroll dhe niveli i rrezikut në shkallën 1, që emërtohet si një “anomali” ose “devijim nga normaliteti”.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA