Vrasja në Tiranë, arrest me burg për të dyshuarin

31/08/2013 00:00

Gjykata ka vendosur “arrest me burg” për 30-vjeçarin  Artenc Shehu, i
cili dyshohet se ka vrarë Gëzim Karaj, pas një sherri banal tre ditë më
parë. Shehu është paraqitur para togave të zeza për vlerësimin e masës
së sigurisë.

Pasi ka dëgjuar palët, gjyqtarja Vjollca Zaimi, vlerësoi se arresti ishte i ligjshëm dhe pranoi kërkesën e prokurorit të çështjes Erjon Imeraj për masën e arrestit me burg.

Prokuroria e Tiranës ka ngritur akuzën e “vrasjes nga pakujdesia”, për Shehun, për ngjarjen e ndodhur në vendin e njohur si “Fusha e Ali Demit” vetëm pak ditë më pare.

Krimi ka ndodhur pas një sherri banal, pasi e dashura e autorit u konfliktua me 60-vjeçarin se i kishte gërvishtur makinën. Dyshohet se Artenc Shehu ka qëlluar me grushta 60-vjeçarin Karaj, duke i shkaktuar plagë të rënda në kokë, të cilat janë bërë shkak që ai të ndërrojë jetë rrugës për në spital.

Top Channel