Një venezuelian është dënuar me 5 vite e gjysmë burgim, për shkak se hapi zjarr ndaj dy diplomatëve amerikanë në një klub nate të Karakasit.
Zyra e prokurorit të përgjithshëm, njoftoi se Carlos Mejias pranoi plagosjen e atasheve ushtarakë, pas një grindjeje në maj.
“Ai nxorri armën dhe qëlloi disa herë ndaj amerikanëve”, thuhej në deklaratë. Një prej diplomatëve u qëllua në këmbë, ndërsa tjetri në stomak. Por, asnjëri prej tyre nuk pësoi plagë të rënda, sa t’u rrezikohej jeta.
Incidenti ndodhi në “Antonella 2012 Club”, një klub striptizmi në rajonin fqinj me Karakasin, Chacao, deklarohej në vijim.
Mejias iu vetëdorëzua autoriteteve 5 ditë më vonë, si dhe u akuzua me “vrasje e mbetur në tentativë”.
Një tjetër person është akuzuar si bashkëpunëtor në tentativën për vrasje. Karakasi konsiderohet si një nga qytetet më të rrezikshme në Amerikën Latine.
Diplomatët janë vënë në shënjestrën e kriminelëve gjatë viteve të fundit, teksa zyrtarë nga Kosta Rika, Kili, Meksika dhe Bjellorusia janë rrëmbyer për pak kohë.
Vitin e kaluar, qeveria shpalli një ligj të ri për ndalimin e shitjes së armëve të zjarrit dhe municioneve të tjera.
Top Channel