Jemen, sulmet me dronë, 6 të vdekur

31/08/2013 04:00

Sulmet amerikane me dronë në Jemen kanë lënë 6 militantë të vdekur gjatë së premtes, përfshi këtu edhe 2 liderë kryesorë të al-Qaeda-s në Gadishullin Arabik (AQAP), bëjnë të ditur burime të forcave të sigurisë.

Qaed al-Thahab, lideri më i lartë i AQAP në provincën Baitha të Jemenit dhe i përshkruar si “një objektiv i profilit të lartë”, ishte mes të vrarëve, thonë burimet. Sipas tyre, 8 raketa u lëshuan nga dy avionë të telekomanduar, në drejtim të disa automjeteve.

Sulmet besohen të jenë ndërmarrë nga Shtetet e Bashkuara, që kanë zhvilluar disa të tilla në Jemen gjatë kohëve të fundit, në betejën e tyre kundër terrorizmit. Megjithatë, asnjë koment nuk është dhënë momentalisht nga SHBA-të.

Sulmet nga ushtria e Jemenit dhe ato me dronë të SHBA-ve kanë reduktuar efektivitetin e organizatës terroriste gjatë viteve të fundit. AQAP është një filial i al-Qaeda-s, e përqendruar kryesisht në Jemen, pas rrëzimit të presidentit të vendit në Pranverën Arabe të vitit 2011.

“The Long War Journal”, një faqe interneti që ndjek, raporton dhe analizon luftimet e SHBA-ve kundër terroristëve, bëri të ditur se sulmi me dronë ishte i pari në Jemen që prej 10 gushtit, kur SHBA-të shënjestruan operativë të AQAP në provincën Lahj.

Sulmet ne dronë kundër militantëve në Jemen u intensifikuan pak javë më parë, kur Ambasada amerikane në këtë vend por edhe në disa vende të tjera të Lindjes së Mesme dhe Afrikës Veriore u mbyllën, për shkak të frikës ndaj sulmeve terroriste.

Pas goditjes në provincën Lahj, një zyrtar i Ministrisë së Mbrojtjes në Jemen tha se 34 persona kanë vdekur nga sulmet me dronë, që nga 28 korriku.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA