“Sa i përket dokumenteve, dokumentet zgjedhore, në kuadër të saj edhe logoja, do të jenë të ligjshme. Ndoshta nuk do të jenë shumë atraktive dhe të duartrokitura politikisht, por do të jenë të pranueshme për të gjithë dhe të mendojmë të gjithë për rëndësinë historike të organizimit të zgjedhjeve në gjithë territorin dhe pjesëmarrjen e të gjithë qytetarëve”.

Kështu ka thënë kryeministri i Kosovës, Hashim Thaçi pas kthimit nga Brukseli, në kohën kur po bëhen debate të shumta se a do të jetë logoja e Kosovës në fletëvotimet e zgjedhjeve lokale të 3 nëntorit.

Sipas kryeministrit Thaçi, zgjedhjet do të organizohen me dokumente zgjedhore në kuadër të Kushtetutës së Kosovës, por do të jenë atraktive dhe të pranueshme edhe për serbët në veri. Më tej, sipas kryeministrit Thaçi, secili duhet të dalë mbi emocionet apo interesat partiake ditore, në shërbim të konsolidimit të vendit.

“Kështu që secili duhet të dalë mbi euforinë, emocionet apo interesat e ngushta grupore, apo partiake ditore, në shërbim të konsolidimit të vendit tonë dhe ndërtimit të jetës së përbashkët, si dhe lehtësimit të pjesëmarrjes së gjithë njerëzve dhe të gjitha komuniteteve në zgjedhje”, ka thënë Thaçi.

Gjatë mbledhjes së qeverisë, Thaçi ka informuar kabinetin e tij për ecurinë e takimit të 27 gushtit me kryeministrin e Serbisë, Daçiç në Bruksel, ku nuk është arritur një marrëveshje për energjinë dhe telekomin, për çfarë të dy kryeministrat pritet të takohen prapë më 8 shtator.

Po ashtu, gjatë kësaj mbledheje, qeveria e Kosovës ka miratuar strategjinë për bartjen e kompetencave nga misioni i Bashkimit Europian, EULEX-it tek institucionet vendore dhe projektligjin për plotësim-ndryshimin e ligjeve që ndërlidhen me përfundimin e mandatit të këtij misioni në qershor të vitit 2014.

Top Channel