Kakà: Dua të largohem nga Reali

30/08/2013 04:40

Dy fakte përbëjnë një provë. Nga njëri krah janë fjalët e shprehura nga Kakà dhe nga ana tjetër ato të Adriano Galliani-t.

Braziliani thotë me zë të lartë: “Dua të largohem nga Real Madrid. Besoj se ka ardhur momenti për të ndarë rrugët tona, të ardhmen time dhe atë të “Los Blancos”-ve”, deklaron braziliani.

Në të njëjtën kohë vijnë edhe fjalët e para të administratorit të deleguar të Milanit: “Rikthimi i Kakà? Ka mbetur gjithmonë në zemrat tona. Është diçka e mundshme, do të shohim se ç’mund të bëjmë”, shpjegon për mediat.

“Babai im – ka shtuar ish-fantazisti i kuqezinjve për mediat spanjolle, – po diskuton me klubin për të zgjidhur këtë situatë”, rrëfen Kakà. Me sa duket nuk do t’i vlejë asgjë ndenja në stolin e rezervave, ku e ka lënë edhe ish-trajneri i tij te Milan, Ancelotti.

Kështu që braziliani, në fund të miqësores me Deportivo la Coruna, është shprehur në mënyrë më specifike: “Kam folur edhe me trajnerin, të gjithë e dinë se dua të largohem. Në këtë moment do të vazhdoj të punoj, siç duhet të sillet një profesionist, por dëshira ime është për të ndryshuar ambient”.

Kakà është shprehur i qartë dhe i drejtpërdrejtë edhe në lidhje me dëshirën e tij për të vazhduar aktivizimin në një klub europian, për të pasur më shumë vazhdimësi, por edhe sepse merkato braziliane është mbyllur tashmë.

Për të shtuar më shumë zërat për një rikthim të mundshëm të tij te Milan, ka qenë edhe fakti, sipas të cilit zëdhënësi i tij ka qenë në Milano gjatë së enjtes. Në fund mbetet edhe një kuriozitet për të mos u nënvlerësuar: Milani e ka ende të lirë fanellën me numrin 22, atë të cilin ka mbajtur veshur ish-ylli kuqezi, i cili fitoi edhe “Topin e Artë” kur luante në “San Siro”.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA