Dragoljub Ojdaniç, ish-shef i shtabit të përgjithshëm të ushtrisë jugosllave dhe i dënuar nga Haga me 15 vjet burg për krime lufte në Kosovë, është kthyer të enjten në Serbi pasi ka shlyer dy të tretat e dënimit.

I pritur në aeroportin e Beogradit nga familjarë dhe miq, gjenerali në pension ka kritikuar ashpër drejtësinë ndërkombëtare, duke thënë se në konfliktin në fund të viteve ’90 në Kosovë krime u kryen nga të dyja palët, por sipas tij vetëm ushtarakët serbë dolën para drejtësisë dhe u dënuan.

“Unë kthehem në shtëpi me ndërgjegje të pastër, duke e ditur se në cilësinë e shefit të shtabit të përgjithshëm jugosllav nuk kam kryer asnjë krim, aq më tepër lufte. Për këtë arsye mund të fle i qetë”, ka thënë Ojdaniç për gazetarët.

“Në të vërtetë, në gjithë këtë kanë mbizotëruar e drejta dhe drejtësia e më të fortit”, ka shtuar ai duke iu referuar bombardimeve të NATO-s në pranverën e vitit 1999 ndaj Serbisë.

Ojdaniç u dorëzua vullnetarisht në Hagë në vitin 2002 dhe në 2009 u dënua me 15 vjet burg për akuzën e krimeve të luftës në Kosovë.

Top Channel