Janë dashur 120 minuta lojë dhe gjuatjet e 11-metërshave, që Pep Guardiola të mposhtë Mourinho-n dhe Bayern të fitojë për herë të parë Supekupën europiane.
Trofeu i parë europian shkon në duart e bavarezëve, të cilët mundën Chelsea-n 5-4 me penallti, pasi koha e rregullt dhe shtesat përfunduan në barazim 2-2.
Lukaku e nënvlerësoi 11-metërshin e fundit, pasi e dorëzoi atë në duart e Neuer, duke bërë që Mourinho të dalë nga Praga pa Superkupën e Europës, trofeu i vetëm që portugezi nuk ka arritur ta fitojë akoma.
Minutat e para të ndeshjes shërbyen që skuadrat të studionin njëra-tjetrën, edhe pse Bayern ishte pak më superior në mesfushë. Në kundërsulmin e parë të vërtetë, Chelsea zhbllokoi rezultatin në minutën e 8’.
Fernando Torres, me një gjuajtje gjysmëroveshatë detyroi Neuer të nxjerrë topin nga rrjeta e tij. Bavarezët tentojnë të kundërpërgjigjen, por finalizimi i sulmeve të tyre nuk solli asnjë gol në pjesën e parë.
Bayern gjeti golin e barazimit menjëherë sapo filloi pjesa e dytë. Ribery, me një gjuajtje predhë nga 25 metra, nuk i dha kohë portierit të Chelsea-t ta grushtojë atë. Të qetësuar nga ky gol, bavarezët filluan të luanin më mirë, duke shkuar disa herë pranë golit të dytë.
Nga ana tjetër, londinezët ishin shumë pranë dyfishimit të rezultatit, por traversa nuk lejoi që gjuatja e Ivanovic të përfundonte në rrjetë. Dalja e Ramires me karton të kuq, në minutën e 85’, detyroi Chelsea-n të luajë minutat shtesë me 10 lojtarë.
Chelsea godet që në minutën e parë të kohës shtesë. Hazard mposht për të dytën herë në këtë mbrëmje gjermanin Neuer. Pas këtij goli, Bayern u hodh i gjithi në gjysmëfushën e Chelsea-t për të barazuar sërish, por Cech bëhet i pakalueshëm.
Ndërkohë që presioni i bavarezëve sa vinte dhe shtohej, Mourinho u kërkoi tifozëve të përgjumur londinezë të inkurajonin skuadrën e tyre, që po luante me 10 lojtarë.
Atëherë kur u mendua se Superkupa do t’i takonte Chelsea-t, Javi Martinez, i gjetur vetëm pak metra para portës, barazoi shifrat dhe çoi ndeshjen në gjuatjet e 11-metërshave. Nga 10 gjuatje, i vetmi që gaboi ishte Lukaku.
Pas humbjes në Superkupën e Gjermanisë, ky është trofeu i parë për Pep Guardiola-n, si trajner i skuadrës së Bayern-it.
Top Channel