Sekuestrohen ndërtimet pa leje

29/08/2013 00:00

Tre ndertimë pa leje në zonat publike të qytetit të Vlorës janë sekuestruar dhe zotëruesit e tyre jane çuar për ndjekje penale.

Vendimi është marrë nga njësia e posaçme “Task-Force” në Drejtorinë e Policisë Qarku Vlorë, e ngritur prej mëse 6 muajsh nën drejtimin e organit të Prokurorisë Vlorë, nga e cila janë sekuestruar me dhjetëra objekte shumëkatëshe të paligjshme të ndërtuara në prona publike dhe shtetërore.

Në 24 orët e fundit janë sekuestruar edhe disa objekte të ndërtuara në mënyrë të paligjshme dhe materialet përkatëse i janë referuar organit të Prokurorisë.

Një ndërtim pa lejë është bërë në lagjen pavaresia dhe një 43-vjeçar është çuar për ndjekje penale.

Dy ndërtimet e tjera janë në lulishten e sheshit “Avni Rustemi”, në afërsi të teatrit “Petro Marko”.

Një 48-vjeçar dhe një grua 60 vjeç janë çuar për ndjekje penale.

Gjithashtu, nga njësia “task-force”  “ka filluar procedimi penal për veprën penale “Shpërdorim i detyrës”, edhe në ngarkim të punonjësve të agjensive të tjera ligjzbatuese që kanë për detyrë ligjore dhe të drejtëpërdrejtë  monitorimin dhe parandalimin e kryerjes së ndërtimeve pa leje”, thuhet në njoftimin e policisë së Qarkut Vlorë.

Situata e ndërtimeve pa leje nuk është aspak e re, ajo është mbi 8-vjeçare apo edhe më e vjetër, por vetëm së fundmi, pasi qeveria në ardhje e theksoi këtë problem, institucionet shtetërore aktuale nisën të lëvizin.

Ndërtimet pa leje, edhe në qytetin e Vlorës janë një fenomen i njohur dhe nuk ka patur një ndërhyrje të tillë energjike që në fillim dhe as në harkun e 8 viteve të fundit.

Ndërkohë, disiplinimi i ndërtimeve, largimi i ndërtimeve abuzive është bërë e qartë se do jetë një nga synimet kryesore të qeverise së re të drejtuar nga Rama.

Top Channel