Presioni i bizneseve kosovare të cilat importojnë mallra nga Shqipëria detyron Doganën e Kosovës të kthejë në fuqi procedurën e thjeshtuar të zhdoganimit të mallrave, ndonëse në mënyrë të pjesshme.

Premtimi për këtë u bë pas një takimi që autoritetet doganore zhvilluan me përfaqësuesit e bizneseve kosovare. Zëdhënësi i Doganës, Adriatik Stavileci tha se kërkesat e biznesit ishin që të kthehet metoda e vjetër e zhdoganimit të mallrave. Kjo sipas tij është e pamundur të bëhet. Por dogana është pajtuar që të lejojë procedurën e thjeshtuar për bizneset të cilat kanë leje deri në një afat të caktuar për shfrytëzimin e saj dhe të krijojë mundësi edhe për biznese të tjera që të aplikojnë për të njëjtën.

Procedura e thjeshtuar pritet të aplikohet në mënyrë selektive pasi për t’u pajisur me të bizneset duhet të plotësojnë disa kushte.

“Një pjesë e kërkesave të biznesit ka qenë kërkesa për vazhdimin e formës së vjetër të zhdoganimit, por ajo është e pamundur. Sidoqoftë, procedura e thjeshtëzuar për kompanitë që e kanë shfrytëzuar nuk iu është ndërprerë, u është ndërprerë kompanive që nuk kanë plotësuar kushtet që ka vendosur Dogana e Kosovës. Disa prej kushteve janë që kompania të jetë një kompani e rregullt, të mos ketë kundravajtje doganore, të jetë një kompani që ka deklaruar mallin në mënyrë korrekte vitet e fundit dhe të tjera”, thotë Adriatik Stavileci, zëdhënës i Doganës së Kosovës.

Njëri nga importuesit kryesor të mallrave nga shqipëria në kosovë Yzer Gashi tha se në takimin me ushtruesin e detyrës së Drejtorit të Doganës së Kosovës ka përfaqësuar bizneset të cilat nga Shqipëria sjellin kryesisht material ndërtimor. Ai tha se tani më këto biznese nuk do të detyrohen të paguajnë taksën prej 40 eurosh në terminalin doganor pasi me procedurën e thjeshtuar zhdoganimi i mallit kryhet në kufi.

Duke folur nëpërmjet telefonit ky përfaqësues biznesi shtoi se në takim është kuptuar që kompanitë kanë afat kohor për shfrytëzuar procedurës së vjetër dhe se ajo do të jetë në fuqi përherë për ato kompani të cilat kanë aktivitet të rregullt biznesi.

Top Channel