
Sandra Bullock dhe George Clooney kanë përshkuar tapetin e kuq në Venecia, së bashku me disa prej emrave më të rëndësishëm të botës së filmit, përpara ceremonisë së hapjes në edicionin e 70-të të festivalit të njohur.
Filmi i tyre “Gravity” një realizim 3D fantazi në hapësirë, i drejtuar nga meksikani Alfonso Kuaron, ka shfaqur edhe premierën e tij botërore në ditën e parë të festivalit, jashtë konkurimit.
Ceremonia madhështore e hapjes, ka prezantuar para publikut të përzgjedhur edhe anëtarët e jurisë, ndër të cilët disa emra mjaft të njohur si aktorja amerikane Kerri Fisher dhe ajo franceze Virzhini Ledojen, Kompozitori japonez Ruiki Sakamoto dhe regjisori dhe aktori kinez Jang Uen.
Drejtimi i jurisë i është besuar për të dytën herë pas festivalit në vitin 1983, regjisorit të njohur italian, Bernardo Bertoluci.
“Festivali duhet të vazhdojë dhe ne po e vonojmë pak, kështu që unë thjesht dua të them se megjithëse ne e dimë se mbase kinemaja nuk mund ta ndryshojë botën, ne e dimë gjithashtu se ajo mund të krijojë botën, një botë”, tha Bertoluci pak para nisjes së festivalit.
Për 11 dite qyteti lagunë do të bëhet arenë e medias botërore në këtë eveniment të rëndësishëm të kinematografisë, i cili do të kulmojë me dorëzimin e trofeut të “Luanit të Artë”.
Fituesi do të zgjidhet ndër 20 filmat në garë, 5 prej të cilëve vijnë nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe 3 nga Britania.
Top Channel