Ukrainasit e Chernomorets, kundërshtarët e kampionëve të Shqipërisë, kanë ardhur në Tiranë për të ruajtur fitoren 1-0 të ndeshjes së parë, në mënyrë që të kalojnë në fazën e grupeve të Europa League.
Mes tyre është edhe futbollisti i kombëtares shqiptare, Elis Bakaj, i cili shpreson që të luajë në këtë kompeticion europian.
“Është një ndeshje e vështirë, ndaj dhe për mendimin tim ne e kemi respektuar maksimalisht ekipin e Skënderbeut, duke ditur që edhe ndeshjen e para na kanë vënë në vështirësi. Jemi përgatitur shumë seriozisht për këtë ndeshje dhe objektivi ynë është fitimi i ndeshjes dhe realizimi i ëndrrës së të gjithëve, të luajmë në grupet e Europa League”, tha Elis Bakaj, futbollist i Chernomorets Odessa.
Trajneri i skuadrës ukrainase e di vështirësinë që e pret, por për të eleminimi nuk do të ishte kurrsesi një tragjedi.
“Ne jemi të sigurt se, të enjten na pret një ndeshje e vështirë. Për këtë arsye, i kemi marrë të gjitha masat e nevojshme. Në futboll nuk ka tragjedi, futbolli është thjesht një pjesë e jetës sonë. Ky term, sado i rëndë qoftë, vlen për jetën e njeriut, kështu që nuk do ta përdorja në këtë rast”, tha Roman Hryhorchuk, trajner i Chernomorets Odessa.
Sfida mes Skënderbeut dhe skuadrës ukrainase do të luhet të enjten, në orën 20:00, në stadiumin kombëtar “Qemal Stafa”, dhe do të drejtohet nga një treshe gjyqtarësh spanjollë.
Top Channel