“New York Times” sulmohet nga hackera sirianë

28/08/2013 01:00

Uebsajti i “New York Times” përjetoi një “black-out” të gjerë gjatë pasdites së të martës, për shkak të një sulmi keqbërës kibernetik.

Lexuesit nisën të raportonin mbi bllokimin e uebit në Twitter, ndërkohë që faqja e internetit nuk u hap për shumë persona edhe pas 3 orësh. Disa prej përdoruesve raportuan probleme edhe në aksesin e tij dhe në aplikacione të tjera nga telefonat celularë.

Gazeta publikoi një mesazh në faqen e saj në Facebook më vonë: “Shumë përdorues kanë hasur probleme me versionin online të New York Times. Jemi duke punuar për të riparuar problemin. Sipas të dhënave paraprake, bllokimi i tij vjen si pasojë e një sulmi të jashtëm keqbërës”.

Shefi i informacioni të New York Times, Marc Frons, ua dërgoi këtë deklaratë edhe punonjësve të brendshëm, si dhe i këshilloi ata të mos dërgonin emaile sensitive “deri sa situata të jetë zgjidhur”, sipas raportit të publikuar nga vet gazeta.

Kërkuesi për kërcënimet e sigurisë, Matt Johansen, nga “White Hat Security”, tha se dyshonte që sulmi të ishte një sipërmarrje e Ushtrisë Elektronike Siriane (SEA), një grup hacker-ash të lidhur me presidentin e Sirisë, Bashar al-Assad.

Disa përdorues publikuan më pas në Twitter “screenshot”-et me mesazhin “Hacked by SEA”, të cilat u dilnin kur navigonin në faqen kryesore të New York Times.

Ushtria Elektronike Siriane ka vënë rregullisht në shënjestër mediat informative amerikane. Grupi në fjalë ka sulmuar edhe llogaritë në Twitter të “Associated Press” dhe “The Washington Post”, ndërsa më 15 gusht ata sulmuan edhe disa organizata mediatike botërore, përfshi CNN, duke bërë që lexuesit e këtyre faqeve të transferoheshin në faqen zyrtare të hacker-ave sirianë.

Episodi i së martës ishte i dyti për “New York Times” gjatë këtij muaji. Faqja në internet e gazetës u bllokua edhe më 14 gusht për disa orë, një problem të cilin gazeta e konsideroi si një “çështje të brendshme”.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA