Lideri i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Ramush Haradinaj, ka deklaruar se mbajtja e zgjedhjeve në veri është shumë e rëndësishme dhe për këtë mund të pranohen edhe kompromiset, siç është anashkalimi i çështjes së logos në fletëvotime.

Këto komente, Haradinaj i ka bërë gjatë një konference për media, ku ka vlerësuar se, nëse arrihet të mbahen zgjedhjet në veri, Kosova do dalë fituese.

“Ndjeshmëria është e lartë dhe politike. Ne e dimë se vendimi është i KQZ-së, por prapë është çështje politike. Mendoj se, në një situatë të tillë, duhet të jemi më të kujdesshëm. Po bëhet fjalë për integrimin e veriut dhe për disa “gëlltitje” të disa gjërave. Por, nuk duhet të nxitojmë dhe të ulemi shumë. Shpresojmë që ta gjejmë një formë për t’i zhvilluar zgjedhjet. Kosova do të fitojë, nëse arrijmë t’i zhvillojmë zgjedhjet në veri. Për këtë çështje mundet edhe të bëjmë kompromis, sa i përket çështjes së logos”, tha Ramush Haradinaj.

Sipas Haradinajt, vendimi për logon në fletëvotime, në zgjedhjet në veri, është kompetencë e KQZ-së, mirëpo, sipas tij, ka edhe implikime politike.

Top Channel