Fenerbahçe përjashtohet dy vjet nga Europa

28/08/2013 18:10

Fenerbahçe, skuadra e dytë më e suksesshme në historinë e Turqisë, do të qëndrojë për dy vjet jashtë kompeticioneve europiane, pasi Gjykata e Arbitrazhit Sportiv ratifikoi vendimin e marrë nga Komisioni i Disiplinës së UEFA-s.

Ndëshkimi ndaj gjigantëve turq vjen pasi klubi rezultoi fajtor për fiksimin e një ndeshje të kampionatit vendas, gjatë vitit 2012.

Me këtë masë, Fenerbahçe nuk mund të kualifikohet në kompeticionet europiane për dy vjet, ndërsa një vit i tretë pezullim është lënë me kusht.

Ky vendim vjen një ditë pasi klubi humbi 2-0 në Londër në një ndeshje plejofi të Champions League, përballë Arsenalit, që u kualifikua me rezultat të përgjithshëm 5-0.

Edhe nëse Fenerbahçe do të ishte kualifikuar, pas këtij vendimi, Arsenalit do t’i ishte dhënë e drejta që të merrte pjesë në fazën e grupeve në tavolinë.

Në 30 gusht pritet të merret vendimi i Gjykatës së Arbitrazhit në Lozanë edhe për Beshiktashin, klubi i tretë më i madh i Turqisë, gjithashtu i dënuar për fiksim ndeshjesh.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA