
Milani do të tentojë sot të sigurojë kualifikimin për në fazën e grupeve të Champions League. Barazimi 1-1 në Holandë përballë PSV-së i jep më shumë shanse skuadrës së Alegrit edhe pse vjen në këtë ndeshje pas humbjes në ndeshjen e parë të Serisë A 2-1 përballë Veronës.
Gjithsesi, në prag të kësaj ndeshjeje të kthimit që do të luhet sot në “San Siro”, trajneri Alegri është i bindur që skuadra e tij do të përmirësohet: “Të gjithë e dinë rëndësisnë e ndeshjes që do të luajmë sot. Në përballjen e parë ata na vunë në vështirësi sepse luajtën shumë mirë, por kjo është një tjetër ndeshje. Nuk duhet t’i lejojmë të na shënojnë.”
Shtatë herë kampionët e Europës janë në qendër të vëmendjes në mbrëmjen e sotme dhe padiskutim skuadra më e avantazhuar në letër përballë PSV-së.
Një tjetër ndeshje e rëndësishme e mbrëmjes së sotme është ajo mes Real Sociedad dhe Olimpik Lion. Skuadra spanjolle ka fituar ndeshjen e parë në Francë me rezultatin e pastër 2-0 duke qenë thuajse e kualifikuar për në fazën e grupeve. Në një kohë që vendasit e Sociedad mund t’i lejojnë vetes të luajnë të tërhequr falë rezultatit të ndeshjes së parë, Lioni do të tentojë maksimumin për t’iu rikthyer në fazën e grupeve të Champions League, fazë të cilën e humbi një vit më parë.
Këto, por edhe ndeshjet e tjera të fazës play-off të mbrëmjes së sotme do të keni mundësinë t’i ndiqni si gjithmonë drejtpërdrejtë në paketën Supersport të platformës Digitalb.
Top Channel