
Takimi i 27 gushtit ndërmjet kryeministrit të Kosovës Hashim Thaçi dhe atij të Serbisë Ivica Daçiç në Bruksel përfundon me përafrim qëndrimesh për sa i përket diskutimeve për Telekomin dhe energjinë.
Raundi i radhës i dialogut është caktuar të mbahet me 8 shtator, njofton zyra e baroneshes Catherine Ashton. Zv.kryeministri i Kosovës Hajredin Kuçi i cili po qëndron në Bruksel tha se me 8 shtator pritet të arrihet pajtueshmeri e plotë.
“Ka pasur diskutime konstruktive sa i përket Telekomit, energjisë dhe janë përafruar gjërat që presim me datë 8 shtator edhe të arrihet pajtueshmëri e plotë”, deklaroi zoti Kuçi.
Zv.kryeministri kosovar tha se për dizajnin e fletëvotimit nuk është diskutuar. Kryeministri i Kosovës Hashim Thaçi në deklaratën për gazetarë para hyrjes në takim me homologun e tij serb tha se do të diskutohen çështjet e hapura, si Telekomi, energjia dhe aspektet teknike të drejtësisë.
“Edhe takimi i sotëm është i nevojshëm dhe i domosdoshëm për të vazhduar zbatimin e të gjitha marrëveshjeve të arritura deri më tani, por të vazhdojmë përmbyllim edhe cështje të telekomunikacionit, energjisë dhe aspekte të tjera të drejtësisë”, tha kryeministri Thaçi.
Nga ana tjetër, në një komunikatë të lëshuar për media pas takimit të martën, shefja e diplomacisë europiane Catherine Ashton bëri të ditur se janë diskutuar disa çështje të cilat ndërlidhen me zbatimin e marrëveshjes së 19 prillit në veçanti për rrugën e mëtejshme në organizimin e zgjedhjeve lokale të tre nëntorit.
“Të dy kryeministrat kanë ritheksuar përkushtimin për zgjedhje të suksesshme me një pjesëmarrje sa më të gjërë të mundshme dhe kanë konfirmuar se do të vazhdojnë përgatitjet intensive për një proces elektoral të qetë”, thuhet në komunikatën e zonjës Ashton.
Raundi i 15 i bisedimeve në Bruksel u zhvillua dy ditë para mbajtjes së mbledhjes së Këshillit të Sigurimit të Komebeve të Bashkuara për Kosovën. Burime zyrtare nga qeveria e Kosovës thonë se Kosova dhe Serbia do të përfaqësohen në nivel të Ministrave të Jashtëm për çka shefi i diplomacisë kosovare Enver Hoxhaj ka udhëtuar drejt Nju Jorkut.
Top Channel