Siria, shtyhet takimi SHBA-Rusi

27/08/2013 00:00

Departamenti Amerikan i Shtetit ka lajmëruar se takimi me Rusinë, i parashikuar më 28 gusht, do të shtyhet. Ky vendim ka ardhur pasi SHBA-të kanë nevojë të përpunojnë një përgjigje të përshtatshme për përdorimin e armëve kimike në Siri.

Në këtë takim do të diskutohej një projekt për një konferencë paqeje për t’i dhënë fund luftës civile në Siri. Takimi do të zhvillohej mes Wendy Sherman, nënsekretar për çështjet politike në Departamentin e Shtetit, Robert Ford, ambasadorit të SHBA-së në Siri dhe ministrave rusë Gennady Gatilov e Mikhail Bogdanov.

“Do të punojmë me kolegët tanë rusë për të riprogramuar takimin”, tha një zyrtar i lartë i Departamentit Amerikan të Shtetit, duke shtuar se përdorimi i armëve kimike më 21 gusht tregon domosdoshmërinë për të gjetur një zgjidhje të përhershme që do t’i japë fund konfliktit në Siri.

Moska zyrtare është e hidhëruar për vendimin e SHBA-së për të anuluar takimin bilateral. Në Twitter, zv/ministri i jashtëm Ghenaddi Gatilov ka shkruar se “përpunimi i parametrave për zgjidhje politike në Siri do të ishte shumë i dobishëm pikërisht tani që këtij vendi po i afrohet një përgjigje ushtarake”.

Top Channel