SHBA, në tetor arrihet tavani i borxhit

27/08/2013 04:25

Sekretari i Thesarit amerikan, Jack Lew, ka bërë të ditur se vendi do të arrijë kufirin e tij të borxhit nga mesi i tetorit, ndaj dhe bën thirrje ndaj Kongresit të veprojë “sa më shpejt të jetë e mundur” për të shmangur një situatë të tillë.

Qeveria nuk do të ketë mundësi të marrë hua, nëse kufiri i borxhit nuk rritet. Ai paralajmëroi se në një rast të atillë, vendi nuk do të mund të plotësojë detyrimet e tij, si pagesat e sigurimeve shoqërore, pagat e ushtrisë dhe rimbursimet e kujdesit shëndetësor.

Kufiri i borxhit të vendit është aktualisht në 16,7 trilionë dollarë.

“Masat e jashtëzakonshme parashikohen të jenë rraskapitëse nga mesi i tetorit”, shkruante Lew në një letër për folësin e Dhomës së Përfaqësuesve, John Boehner, si dhe për ligjvënësit e tjerë.

“Në atë kohë, SHBA-të do të kenë arritur kufirin e huamarrjes dhe Thesari do të gjendet në një situatë të tillë, duke financuar qeverinë vetëm me paratë “cash” që kemi, apo me ato që do të sigurojmë deri në atë ditë”, tha ai.

Bilanci “cash” në atë moment pritet të jetë rreth 50 miliardë dollarë, që, sipas Lew, do të ishte “e pamjaftueshme për të mbuluar shpenzimet neto për një periudhë të gjatë kohe”.

Ai shtoi: “Nëse qeveria do të operojë pa autoritete huamarrjeje dhe vetëm me të hollat “cash”, që do të kemi në atë moment, kjo do t’i vendoste SHBA-të në një pozicion të papranueshëm”.

Së fundi, ka pasur debate të ashpra mes Shtëpisë së Bardhë dhe republikanëve në Kongres, në lidhje me tavanin e borxhit të qeverisë, shkurtimin e shpenzimeve dhe disa çështje të tjera fiskale.

Top Channel