Ministri gjerman i Financave, Wolfgang Schauble, ka bërë të ditur se problemet e eurozonës nuk janë zgjidhur, por “tashmë jemi në një gjendje shumë më të mirë, se sa kemi qenë vite më parë”.
I pyetur nëse ai parashikon të tjera ndihma kundër falimenteve në të ardhmen, ai u përgjigj: “Jo, nuk besoj të kemi të tilla situata”.
Në një intervistë të rallë, të zhvilluar në anglisht, ai tha: “Nëse Kancelarja Merkel do të rizgjidhet, kam besim se do të vazhdojmë të punojmë për një Europë më të fortë. Ky është pozicioni ynë i përgjithshëm. Nuk duam një Europë gjermane, por kërkojmë një Europë të fuqishme dhe kjo do të thotë se çdo shtet anëtar, përfshi Gjermaninë, do të duhet të rrisë kompetivitetin e tij”, tha Schauble.
“Një Europë më e fortë nënkupton që, gjithsecili duhet të kryejë detyrat e tij dhe të mos kërkojë më shumë para nga të tjerët, pasi kjo përbën një rrugë të gabuar drejt një Europe më të fortë, është një stimul i gabuar”.
Komentet e tij vijnë përpara zgjedhjeve të 22 shtatorit, teksa Merkel përballet me një elektorat gjerman, i cili ndihet i lodhur tashmë kur shohin se vendi me ekonominë më të fuqishme të Europës po ndihmon me huadhënie kombet e trazuara të eurozonës, problemet me borxhet e të cilëve kanë kërcënuar stabilitetin e monedhës së përbashkët.
Greqia, së bashku me tre vende të tjera të eurozonës, Portugalinë, Irlandën dhe Qipron, mbeten të varura nga kreditë e shpëtimit të siguruara nga BE dhe Fondi Monetar Ndërkombëtar (FMN).
Eurozona, që përfshin 17 shtete, ka dalë tashmë nga recesioni më i gjatë i historisë së saj, duke pasur një rritje prej 0,3% në tremujorin e dytë, pas 18 muajsh tkurrjeje. Përqindja e papunësisë mbetet ende e lartë, por shqetësimet mbi krizat e borxheve – në rritje të rrezikshme gjatë vitit të kaluar – tashmë janë pakësuar.
“Nëse shihni normat e borxheve të secilit shtet, mund të dalloni se ato janë stabël tashmë. Tregjet kanë besim në stabilitetin e eurozonës si një e tërë. Ekonomitë e saj janë duke e rimarrë veten si një e tërë dhe deficiti mesatar është përgjysmuar në të gjitha shtetet anëtare të eurozonës, gjatë 3 viteve të fundit”, shtoi Schauble.
Schauble pranon se Greqia do të kërkojë ende ndihma, por tha se kjo nuk përbën më dhimbje koke (për të shkulur flokët), siç ndodhi me humbjet prej 100 miliardë euro të mbajtësve të obligacioneve greke gjatë vitit të kaluar, as për Greqinë dhe as për ndonjë vend tjetër të eurozonës.
Top Channel