
Kompanitë e eksportit të mallrave nga Shqipëria në Kosovë kërkojnë heqjen e taksës së shërbimit doganor prej 40 eurosh me të cilën janë ngarkuar muajin e fundit.
Dhjetëra kamionë me mallra u mblodhën të martën në pikën kufitare në Vermicë në shenjë proteste për siç thuhet barrierat artificiale të shtuara së fundi nga autoritetet kosovare.
Nëpër kamionë janë vënë parrulla me të cilat akuzohet qeveria e Kosovës se po ndihmon individe të caktuar të cilët drejtojnë terminalet doganore duke dëmtuar rëndë eksportin e mallrave të Shqipërisë drejt Kosovës. Përfaqësuesit e biznesve ne Kosovë dhe Shqipëri thonë se po u shkaktohen humbje deri në 100 mijë euro në vit ndërsa si pasojë e rritjes së kostos së importit fabrikat detyrohen të reduktojnë numrin e punëtorëve.
Dogana e Kosovës heq përgjegjësinë për sa i përket taksës së shërbimit doganor prej 40 eurosh. Shefi i pikës kufitare në Vermicë, Kujtim Qafleshi tha se cmimi të cilët duhet të paguajë importuesi në terminalin doganor nuk e vendos dogana. Ndërsa e vetmja gjë që ka kërkuar dogana, sipas tij, është garancia bankare, e cila konsiderohet po kështu një barrierë për biznesin.
Përvec taksës doganore prej 40 eurosh për të cilën detyrohet të paguajë secila kamionë importi që hyn në Kosovë, autoritetet kosovare kanë hequr po kështu nga funksioni procedurën e thjeshtuar të kalimit të mallrave sipas së cilës lejohej zhdoganimi i të gjithë sasisë së mallit në baza javore.
Nga ana tjetër Dogana e Kosovës e konsideron të panevojshme procedurën e thjeshtëzuar pasi qëllimi i saj ka qenë që të mos krijohen radhë në pikat doganore. Rrjedhimisht, sipas doganës kosovare, ankesat e kompanive nuk janë të drejta pasi procedura e zhdoganimit të brendshem aplikohet kudo në botë.
Top Channel