Përfaqësuesit e dy partive maqedonase, VMRO-DPMNE dhe LSDM, në komisionin hetimor për ngjarjet e dhunshme në Parlament, që ndodhën vitin e kaluar, të hënën kanë firmosur raportin përfundimtar për zbardhjen e këtyre ngjarjeve, i cili përmban 11 rekomandime dhe 7 konkluzione.
“Kuvendi duhet t’i implementojë rekomandimet me konsensus. Me zbatimin e rekomandimeve, që dalin nga raporti, Maqedonia do të marrë raport pozitiv nga Komisioni Europian, ndërsa me ndryshimin e Rregullores së Parlamentit do të forcojë nivelin e demokracisë në vend”, tha Borçe Davitkovski, kryetar i komisionit hetimor.
Raporti u firmos pa praninë e mediave, ndërsa përfaqësuesit e partive politike e kanë komentuar përmbajtjen e tij në mënyra të ndryshme. Përfaqësuesit e VMRO-DPMNE-së në pushtet, dokumentin e kanë firmosur për shkak të rëndësisë, që ai ka për eurointegrimet, dhe jo për shkak se pajtohen me përmbajtjen.
“Për ne nuk kanë peshë kualifikimet juridike të këtij raporti. Për ne raporti i Komisionit Europian ka rëndësi shumë më të madhe se çdo raport i këtij komisioni hetimor”, tha Ilija Dimovski, anëtar i VMRO-DPMNE-së në komisionin hetimor.
Nga ana tjetër, për LSDM-në opozitare, përmbajtja e raportit, për ngjarjet e dhunshme në Kuvend, ngjall shpresën për kthimin e vlerave demokratike në Maqedoni.
“Raporti është cilësor dhe pres që, me zbatimin e 11 rekomandimeve që dalin nga ai, të përmirësohet dhe të forcohet puna e Kuvendit. Shpresoj që, partia e kryeministrit nuk do ta shkelë atë që kemi arritur me këtë raport”, tha Renata Deskovska, anëtare e LSDM-së në komisionin hetimor.
Firmosja e këtij dokumenti erdhi një ditë, pasi kryeministri Gruevski u tërhoq nga propozimi i tij për zgjedhje të parakohshme, për shkak të refuzimit nga opozita.
Me miratimin e këtij raporti, Maqedonia nuk rrezikon statusin e vendit kandidat në BE dhe rekomandimin për marrjen e datës për çeljen e negociatave për antarësim.
Më 24 dhjetor të vitit të kaluar, sigurimi i Kuvendi nxorri me dhunë nga salla plenare, gazetarët dhe deputetët e opozitës, për shkak se këta të fundit kundërshtonin miratimin e buxhetit shtetëror, siç ishte propozuar nga Qeveria.
Top Channel