Vendi i dytë i arritur nga Alonso në Çmimin e Madh të Belgjikës tregoi se “kokëkuqja” ka hedhur hapa të rëndësishëm përpara, por mbetet ende pas rivalëve të Red Bullit dhe në këto kushte, në dy garat e ardhshme, në Monza e Singapor, fitorja është një detyrim për të mbajtur gjallë shpresat për titullin kampion në këtë sezon.
“Hodhëm një hap përpara, ngushtuam diferencat që ekzistojnë mes dy makinave dhe në Monza e Singapor do të shohim se cilat do të jenë frytet e mëtejshme të këtij procesi. Unë jam optimist për garat që do të vijnë, ndërsa objektivi ynë vazhdon të jetë i njëjti, të luftojmë për titullin deri në fund”, deklaroi Alonso.
Në të njëjtën linjë mendimi edhe shefi i skuadrës, Stefano Domenicali, i cili tha: “Vendi i dytë nuk është një rezultat i mjaftueshëm sepse nuk mund të ndihemi të kënaqur deri në momentin kur do të jemi në gjendje të konkurrojmë realisht me Red Bullin. Në garat e ardhshme do të përpiqemi të përmirësojmë makinën, në mënyrë që t’i japin Fernandos mundësinë që të luftojë për titullin kampion”.
Sidoqoftë, me Alonson 39 pikë nga Vettel dhe Botërorin që ka kaluar gjysmën e tij, gara e Monzës duket se do të jetë përcaktuese, për të kuptuar nëse ky kampionat do të vazhdojë të qëndrojë i hapur edhe për shumë kohë.
Top Channel