Arsenal, Schalke, Steaua e Bukureshtit, Austria e Vjenës dhe Basel kualifikohen për në fazën e grupeve të Ligës së Kampionëve.
Londinezët e drejtuar nga Arsene Wenger, të cilët kishin fituar ndeshjen e parë 3-0 në Turqi, kanë mundur 2-0 skuadrën e Fenerbahçes edhe në “Emirates”, duke siguruar për të 16-n herë radhazi një vend mes skuadrave, që do të luajnë në kompeticionin më të fortë të Europës.
Schalke mundi me vështirësi 3-2 PAOK-un, një fitore kjo që i jep mundësinë skuadrës gjermane të vazhdojë më tej në Ligën e Kampionëve. Protagonisti i fitores ishte hungarezi Adam Salai, që shënoi 2 gola në portën e skuadrës greke.
Austria e Vjenës kualifikohet për herë të parë në historinë e saj, në fazën e grupeve në Champions League. Edhe pse u mundën 3-2 në fushën e vet, nga Dinamo Zagreb, fitorja 2-0 në ndeshjen e parë i dha mundësinë, skuadrës së drejtuar nga Nenad Bjelica, të futet në historinë e këtij klubi 102-vjeçar.
Një tjetër skuadër, që do të vazhdojë më tej, është edhe Steaua e Bukureshtit, e cila rikthehet pas 5 vjetësh në fazën e grupeve të Ligës së Kampionëve, pas barazimit 2-2 me Legia Varshavë. Ndeshja e parë mes këtyre dy ekipeve përfundoi në barazim 1-1.
Top Channel