
Pas debutimit të keq në kampionat që ka tronditur ambientin e Milanit, Massimiliano Allegri e di që nuk mund të gabojë në ndeshjen e nesërme, përballë PSV-së, e cila do të përcaktojë se cila nga të dy skuadrat do të luajë në fazën e grupeve të Champions League.
Në një intervistë për “La Gazzetta dello Sport”, Allegri pranoi se ajo e nesërmja është “ndeshja vendimtare e sezonit”. “Prestigji i të luajturit në Champions është shumë i rëndësishëm për këtë skuadër. Por, mbi të gjitha bëhet fjalë për një shumë të konsiderueshme parash, e cila është e domosdoshme për investimet që synojmë të bëjmë në merkato”, pranoi Allegri.
“Jemi një skuadër e re dhe ajo që ndodhi ndaj Veronës, në javën e parë të kampionatit mund të ndodhë, por ne duhet të bëjmë çmos që të mos përsëritet më. Tani duhet të jemi të gatshëm që të luajmë pa presion dhe nervorizën. Është e rëndësishme që ta nisim ndeshjen me durim, pasi përballë kemi një ekip që luan një lojë kolektive shumë të mirë”, shtroi trajneri i kuqezinjve.
Për t’u kualifikuar në fazën e grupeve, Milani do të duhet të mendojë vetëm për ndeshjen që do të luhet në fushë. “Nuk duhet të mendojmë nesër për barazimin 1-1 në ndeshjen e parë. Duhet të arsyetojmë sikur të ishte një ndeshje teke. Mënyra më e mirë për të garantuar kualifikimin është mospësimi i golit, prandaj do të duhet një vëmendje shumë e madhe pas, kombinuar me atë saktësi përpara portës përpara”.
Në të njëjtën linjë me trajnerin, edhe kapiteni Montolivo. “Nga vërshëllima e fillimit të ndeshjes dhe deri në fundin e saj, nuk mund të mungojë ritmi. Ajo që ndodhi në Veronë nuk duhet të përsëritet dhe për atë humbje jemi të gjithë fajtorë. Duhet të tregojmë se çfarë dimë të bëjmë dhe jemi të gjithë në lartësinë e duhur për të arritur një rezultat pozitiv”, komentoi Montolivo.
Top Channel