Zjarret shkrumbojnë Kaliforninë

26/08/2013 00:00

Zjarrfikësit amerikanë vazhdojnë betejën me flakët në Kaliforni për të shpëtuar Parkun Kombëtar “Yosemite”, një prej perlave natyrore të San Françiskos.

Unaza e zjarrit ka shkretuar rreth 600 kilometër katrorë deri më tani, ndërsa në shumë zona kanë nisur zhvendosjet e banorëve, disa të detyruar nga autoritetet disa vullnetarisht.

Zjarrfikësit po punojnë në një terren të vështirë malor, ndërsa departamenti i zjarrfikësve tha se bëhet fjalë për betejën më të ashpër me flakët që prej shumë vitesh.

“Flakët kanë thyer çdo rezistencë. Është një betejë tejet e vështirë për zjarrfikësit”, deklaroi Daniel Berlant nga Departamenti i Pyjeve dhe Mbrojtjes ndaj Zjarrit në Kaliforni.

Në fushatën e gjërë për vënien e flakëve nën kontroll janë aktivizuar rreth 3 mijë zjarrfikës dhe qindra vullnetarë. Situata mbetet kritike dhe moti i nxehtë dhe erërat e forta nuk ndihmojnë aspak në shuarjen e zjarreve.

Top Channel