Qeveria e Kosovës nuk e vë në diskutim çështjen e logos në fletëvotimet e 3 nëntorit. Kjo nuk është në mandatin e qeverisë që kjo cështje të diskutohet në Bruksel. Ky ka qenë qëndrimi i kryeministrit Hashim Thaçi në mbledhjen e kabinetit qeveritar të mbajtur ditën e hënë.

“Qeveria e Kosovës dhe delegacioni i Kosovës nuk e komenton këtë se kjo nuk i takon. Kjo çështje i takon Komisionit Qendror Zgjedhor dhe nuk i takon Qeverisë që të marrë ndonjë vendim. Ne vetëm do të respektojmë vendimet e KQZ-së”, tha kryeministri Thaçi.

Në takimin e së martës mes kryeministrit kosovar dhe atij serb Ivica Daçiç pritet të diskutohet për marrëveshjen për telekomunikacionin, energjinë dhe drejtësisë. Kryeministri Thaçi ka thënë se Qeveria e Kosovës ka përmbushur të gjitha detyrimet që janë parashikuar për këto marrëveshje. Ndërkohë zvarritjet që janë bërë deri më tani ai ka thënë se shkak ka qenë Serbia.

“Edhe qëndrimi i kabinetit të Baroneshës Ashton ka qenë i qartë që kjo zvarritje ka ndodhur për shkak të Serbisë”, tha Thaçi.

Pas takimit të Brukselit kryeministri Thaçi do të udhëtojë për në Nju Jork, ku do të marrë pjesë në mbledhjen e radhës të Këshillit të Sigurimit të OKB-së. Në mbledhjen e OKB-së veç tjerash pritet të diskutohët edhe për cështjën e përsonave të zhdukur gjatë luftës së fundit në Kosovë.

Top Channel