
Deklaratat e Londrës dhe Uashingtonit për Sirine, mbajnë gjithmonë e më shumë erë lufte, e duket se do të përbëjnë boshtin e takimit të gjeneralëve amerikanë, britanikë, francezë, kanadezë, italianë e të tjerë që mblidhen në kryeqytetin e Jordanisë, Aman.
Samitin e drejton Martin Dempsey, Shefi i Shtabit të Përgjithshëm të Ushtrisë Amerikane dhe do të zhvillohet pak më shumë se 100 milje nga Damasku. Lojtarët kryesorë të cdo sulmi të mundshëm ndaj regjimit të Bashar al Assad-it konsiderohen Shtetet e Bashkuara, Britania dhe Franca, të cilat edhe kanë përforcuar praninë ushtarake në rajon.
Britania me katër luftanije, një helikopter-mbajtëse dhe dy fregata në brigjet e Shqipërisë; SHBA me një grup prej tre destrojerësh në lindje të Mesdheut, të cilit po i afrohet dhe një i katert, “USS Mahan”, Franca ka avionë “Rafale” dhe “Mirage” në Emiratet e Bashkuara Arabe të cilët mund të mbërrijnë në Siri përmes bazave ajrore amerikane të Incirlik dhe Izmirit në Turqi, dhe asaj të Akrotirit në Qipro.
Harta e publikuar nga “The Guardian” tregon gjithashtu praninë e marinës amerikane në Napoli dhe atë të avioneve F16 e raketave “Patriot” në Jordani. ndërsa pritet konfirmimi i sulmit kimik në periferi të Damaskut, strategjia e luftës me sa duket ka nisur të hartohet.
Gazeta britanike përmend planet e mirë-menduara të “një tërësie libjane mundësish”, referencë e qartë kjo ndaj stratagemave detare, ajrore dhe tokësore që u morën në konsideratë kur diskutohej përmbysja e Muamar Gadafit.
Dallimin kryesor në këtë rast e përbën fuqia e mbrojtjes ajrore siriane. Këto vitet e fundit, Rusia e ka furnizuar Damaskun me 36 sisteme raketore tokë-ajër “Pantsir” dhe të paktën tetë “Buk-M2E”.
Përballë një Sirie me mbrojtje të fuqishme ajrore, rezerva armësh kimike dhe mbështetjen e fortë të Moskës, hapi i parë i ndërkombëtarëve, me të gjitha gjasat, mund të jetë një demostrim force që nënkupton afrimin e anijeve të luftës dhe dërgimin e avionëve bombardues mbi Siri.
Top Channel