Zhvillimet që lidhen me godinën e SHQUP-it, e cila i kaloi për përdorim Partisë Demokratike, janë duke u ndjekur nga afër edhe nga SHBA.
Këtë e konfirmoi ambasadori Aleksandër Arvizu kur u pyet nga Top Channel nëse për SHBA është shqetësues fakti që ndërtesa e SHQUP-it, është pronë e dy shqiptarëve që jetojnë në Amerikë dhe kërkojnë t’ju rikthehet.
“Nuk dua të ndalem në detaje, por sa herë që është një shtetas amerikan dhe në këtë rast është një i tillë, kthehet në shqetësim për ne. Të gjithë e dimë, dhe unë nuk mund të mendoj një cështje tjetër kaq të komplikuar në Shqipëri, sa ajo e pronave. Me të vërtetë është shqetësuese për ne. Jemi duke e ndjekur këtë cështje. Kjo është e gjitha deri më sot”, tha ambasadori Arvizu.
Këtë deklarim Ambasadori Arvizu e bëri pas një takimi për rreth dy orë që zhvilloi me ministren e ardhëshme të mbrojtjes, Mimi Kodheli zhvilluar në selinë e Partisë Socialiste. Zoti Arvizu preferoi që komentet rreth takimit t’i bënte zonja Kodheli.
“E sigurova ambasadorin që Shqipëria si vend anëtar i NATO-s, do të vazhdojë në rrugën e të qënurit një mbështetëse e këtij organizmi shumë të rëndësishëm në rrugën e drejtë për më shumë paqe, më shumë siguri për vendin tonë dhe për gjithë vendet anëtare të NATO-s. Sigurisht që ambasadori dhe stafi i tij shprehën kënaqësinë e një fillimi të mbarë pune me qeverinë e re dhe të mbështetjes që ata do të vazhdojnë të japin, ashtu sic kanë dhënë edhe në të shkuarën, në të gjitha fushat e pjesës së sigurisë kombëtare dhe të mbrojtjes”, deklaroi zonja Kodheli.
Top Channel