SHBA akuzon Assad për armët kimike

26/08/2013 00:00

Shtetet e Bashkuara të Amerikës përgatiten për ndërhyrjen ushtarake në Siri. Të paktën këtë la të kuptohet Sekretari i Shtetit, John Kerry, në një deklaratë për mediat mbi ngjarjet e fundit në terren.

Kryediplomati amerikan deklaroi se ka prova që lidhin regjimin e Assad me përdorimin e këtyre armëve dhe i quajti si të turpshme përpjekjet për fshehjen e sulmit.

“Kushdo që mendon se një sulm i tillë mund të mbahet i fshehur apo mund t’i faturohet dikujt tjetër, gabon. Në kohën që inspektorët e OKB-së po mbledhin prova në terren, ajo që kemi kuptuar ne, bazuar në fakte dhe prova të pakundërshtueshme, të gjitha të dhënat e siguruara në terren në mënyrë operative dhe nga organizata humanitare si “Mjekët pa Kufij” dhe organizata siriane të të drejtave të njeriut, na bëjnë akoma më të qartë se në Siri janë përdorur armë kimike. Ajo që dimë ne është se këto armë janë nën kujdesin e regjimit sirian. Dime që regjimi ka kapacitetin të lëshojë këto armë me raketa, ne dimë që regjimi është i vendosur që të pastrojë opozitën në ato zona ku ndodhën sulmet”, u shpreh Kerry.

Kerry tha se presidenti Obama dhe gjithë skuadra e tij e sigurisë kombëtare, prej ditësh vëzhgojnë me kujdes situatën në Siri. Ai tha se ajo cfarë bota pa javën e kaluar është tronditëse.

“Vrasja e civilëve të pafajshëm, e grave dhe e fëmijëve, me armë kimike është një imoralitet. Në çdo standard është e pajustifikueshme. Përmasat e konfliktit tashmë shkojnë përtej Sirisë. Ka një arsye se përse presidenti Obama ka vendosur si prioritet të ndalë prodhimin e armëve të tilla dhe t’i bllokojë ato, kudo qofshin. Ka një arsye që presidenti Obama ia bëri fare të qartë regjimit të Assadit, se kjo normë ndërkombëtare nuk mund të shkelet pa pasur pasoja. S’ka rëndësi se çfarë ju besoni për Sirinë, por të gjithë njerëzit, të gjithë popujt, të gjithë shtetet, duhet të ngrihen për të ndalur përdorimin e armëve kimike në të ardhmen”, tha Kerry.

Ai e quajti thuajse të përmbushur misionin e vëzhguesve të OKB-së, të cilëve – sipas tij – nuk iu është dhënë mandati për të përcaktuar palën përdoruese të armëve kimike, por vetëm të verifikojë nëse janë përdorur apo jo të tilla armë.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA