Rusia paralajmëron SHBA-të kundër luftës në Siri

26/08/2013 15:20

Rusia paralajmëroi Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe aleatët e saj perëndimorë se ndërhyrja në Siri do të sillte pasoja të paparashikueshme, duke zhytur në kaos të gjithë rajonin.

Ministri i jashtëm rus, Sergei Lavrov, paralajmëroi homologun John Kerry për “pasojat tejet të rrezikshme”, të lëshimit të një sulmi ushtarak ndaj regjimit sirian.

Lavrov telefonoi zotin Kerry, për t’i thënë se “Rusia ndihet thellësisht e alarmuar nga komentet e zyrtarëve amerikanë që shprehin gatishmërinë për të ndërhyrë në Siri, pas spekulimeve për përdorimin e armëve kimike nga ana e regjimit”, tha ministri i Jashtëm rus.

Sipas tij, kjo ndërhyrje do të ishte në gjendje të zhyste në kaos të plotë jo vetëm Lindjen e Mesme, por edhe Afrikën Veriore, e cila vazhdon të jetë në një gjendje të brishtë politike, pas ndryshimeve të thella që shkaktoi Pranvera Arabe.

Ndërkohë, në një intervistë të dhënë për një të përditshme ruse, gjithashtu këtë të hënë, Lavrov i komentoi spekulimet e përdorimeve të armëve kimike nga ana e regjimit si një “fyerje për inteligjencën njerëzore”.

Rusia është aleati i vetëm i madh i regjimit të Bashar al-Assad dhe ushtria e rregullt siriane është kryesisht e furnizuar me armë ruse, të cilat të paktën në letër, e bëjnë më të ndërlikuar për NATO-n një ndërhyrje në vend, krahasuar me ndërhyrjen që u realizua në 2011-n ndaj regjimit të Gaddafit në Libi.

Top Channel