Ringritja e ngadaltë e ekonomisë

26/08/2013 00:00

Banka e Shqipërisë ka paralajmëruar për herë të parë se kriza në
ekonominë shqiptare do të zgjasë edhe për disa vjet të tjera duke zbehur
shpresat për një ringritje të shpejtë.

Në raportin e fundit të politikës monetare Banka thotë se skenari bazë i zhvillimit të ekonomisë shqiptare është ai i një rritjeje ekonomike të ngadaltë në horizontin afatmesëm.

Sipas Bankës, kjo pasi ekonomia do të vazhdojë të vuajë nga kërkesa e dobët edhe gjatë viteve në vijim. Por cilat do të jenë efektet e kësaj krize të gjatë? Ekspertët e Bankës parlajmërojnë se rritja e ngadaltë ekonomike kërcënon fillimisht stabilitetin e financave të vendit duke tkurrur ritmin e të ardhurave në buxhet.

Ndaj sipas tyre qeveria duhet të bëjë kujdes me planifikimin e buxhetit për të mbajtur nën kontroll financat e shtetit. Por nuk janë vetëm financat e Qeverisë ato që kërcënohen nga kriza. Sipas Bankës, tashmë edhe bizneset janë të rrezikuar dhe madje edhe agjentët e tregut financiar.

“Ecuria e ngadaltë e aktivitetit ekonomik në vend do të kërkojë kujdes të vazhdueshëm nga bizneset dhe agjentët financiarë për shëndetin e bilanceve të tyre,” paralajmëron raporti.

Që nga 2009-a pasojat e krizës në ekonomia kanë ardhur duke u thelluar. Fillimisht rritja ekonomike u përgjysmua nga 6 në 3 për qind, ndërsa në vitin e kaluar ajo ra në 1.6 për qind. Por përtej ngadalësimit të fortë, institucionet e specializuara së fundmi kanë ngritur shqetësimin se kriza ka dëmtuar edhe burimet e rritjes së ekonomisë.

Pas FMN fillimisht dhe Bankës Botërorë më vonë, së fundmi edhe Banka e Shqipërisë i ka korrektuar vlerësimet e për rritjen potenciale të ekonomisë nga 6 në 3 për qind. Që do të thotë se edhe pasi kriza të ketë kaluar, zhvillimi ekonomik i vendit do të jetë shumë më i ngadaltë se më parë.  

Top Channel