MPJ dënon ashpër sulmin kimik në Siri

26/08/2013 17:10

Ministria e Punëve të Jashtme të Shqipërisë, në një deklaratë zyrtare, dënoi ashpër përdorimin e armëve kimike në konfliktin civil sirian.

“Shqipëria dënon përdorimin lëndëve helmuese ndaj popullsisë civile në Siri, teksa ndjek me shqetësim të thellë përkeqësimin e situatës në këtë vend”, mund të lexohej në deklaratë.

Njëkohësisht, MPJ shprehu solidarizimin e qëndrimit të saj kundër regjimit të Bashar al-Assad, me atë të komunitetit ndërkombëtar dhe partnerëve tanë të NATO-s dhe BE-së.

Reagimi i Ministrisë së Jashtme vjen në një ditë në të cilën u mësua se në kuadrin e përgatitjeve për ndërhyrje ushtarake në Siri, Shqipëria po shihet nga planifikuesit dhe strategët amerikanë e britanikë si një bazë e rëndësishme për përqendrimin e forcave ajrore dhe jo vetëm.

Lufta civile në Siri, e nisur në mars 2011 pas shtypjes së dhunshme të protestave masive kundër regjimit të Bashar al-Assad, i ka kushtuar jetën të paktën 100 mijë personave. Mbi dy milionë janë shpërngulur në vendet fqinje, ndërsa me miliona të tjerë kanë mbetur të pastrehë dhe të ekspozuar nga luftimet, uria, mungesa e medikamenteve dhe nevojave bazë të jetesës brenda Sirisë. 

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA